E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te perndjekurit: 29 Nentori dita e masakres komuniste, LSI kunder

TIRANE- Ish të përndjekurit politikë kërkojnë shpalljen e 29 nëntorit si dita përkujtimore e masakrës komuniste në Shqipëri. Një grup ish të përndjekurish kanë qenë sot në malin e Dajtit, aty ku pak ditë më parë u gjendën eshtrat e 19 viktimave të cilët dyshohen se janë ekzekutuar nga regjimi komunist. „Ne ecim mbi eshtra. Janë me mijëra familje që nuk kanë një vend për të vënë një lule në një ditë të caktuar.“- deklaron një përfaqësues i grupit të ish të përndjekurve. Ata shpresojnë që kërkimet të mos vazhdojnë në mënyrë individuale, por të krijohet një komision, të caktohen hartat e të bëhen kërkimet. „Janë me mijëra varre individuale masive të cilat janë nëpër pyje, ferra. Se ku ndodhen këto varre i dinë prokurorët ato që i kanë vënë plumbin pas koke. Ne i bëjmë thirrje komunistëve që të tregojnë se ku ndodhen eshtrat. Se është turp i kombit që të bëjnë varret e grekëve, anglezëve dhe të mos ketë një varr per vellezerit tane“- deklaroi një tjetër përfaqësues i të përndjekurve politikë. Kërkesa për shpalljen e 29 nëntorit si dita përkujtimore e masakrës së komuniste në Shqipëri e cila u kërkua një ditë më parë nga një grup deputetësh demorkatë është përsëritur sot nga Kurt Kula kryetar i Shoqates se te Perndjekurve Politike. Lëvizja Socialiste për Integrim deklarohet kundër këtij propozimi. Në një prononcim për median anëtari i LSI-së Luan Rama tha se kjo është një nismë provokative, duke marre parasysh faktin se kjo date ka patur kundërshti mes partive politike ne vend dhe simbolizon luftën antifashiste nacional çlirimtare. Sipas Ramës do të ishte e teper që kjo datë të shënonte një tjetër histori. “Dëshiroj të nënvizoj se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist.”- deklaroi sot Luan Rama. (s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›