E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshje të dendura bore, izolohen verilindja e juglindja

TIRANë- Reshjet e borës që kanë rinisur në disa zona të vendit kanë krijuar mjaft vështirësi. Probleme më të mëdha rezultojnë në verilindje të vendit, kryesisht në Tropojë, Pukë dhe Kukës. Në Tropojë problematike mbetet komuna e Lekbibajt, ndërsa aksi Qafë Mali-Fierzë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Trashësia e borës i kalon 15 centimetra, ndërsa nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Vështirësi qarkullimi në të gjithë segmentet rrugore në Pukë, të cilat janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërkohë që nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të lartë. Kalohen me zinxhirë akset Shkodër-Pukë, Mirditë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Kukës. Mbeten të bllokuara komuna Iballë dhe disa fshatra. Reshjet e borës kanë nisur intensive dhe në qytetin e Kukësit, ku trashësia e borës arrin në 5 centimetra. Të bllokuara rezultojnë komunat Arren, Zapod, Topojan dhe Grykecaj. Si pasojë e trashësisë së borës që arrin në 50 centimetra dhe akullit qarkullimi në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Krumë, Kukës-Qafë Shllak kryhet vetëm me zinxhirë. Reshje të dendura bore dhe në Peshkopi e Bulqizë. Rezultojnë të bllokuara disa fshatra në Trebishte, Zerqan dhe Lura. Nuk ka probleme me akset rrugore. Edhe në Mirditë rezultojnë të bllokuara disa fshatra në komunat Fan dhe Orosh, ndërsa fshati Shenmri është i izoluar për shkak të dëmtimit të urës. Reshjet e borës kanë rinisur edhe në qytetin juglindor të Korcës, por momentalisht nuk raportohen probleme me akset rrugore, pasi po punojnë borëpastrueset.(m.a/News 24/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›