E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet cisterna, 10 tonë me ujë për hashashin e Lazaratit

 

GJIROKASTER - Për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike në Lazarat, policia e Gjirokastrës duket se ka gjetur një taktikë më efikase se ajo e ndërhyrjes me forca speciale në brendësi të fshatit, ku jo rrallë herë janë shënuar incidente të rënda. Policia ka vendosur t’iu shkojë gjer në fund operacioneve për bllokimit e cisternave me ujë dhe të plehut organik në Lazarat. Sipas specialistëve, kjo bimë kërkon shumë ujë, ndaj bllokimi i cisternave do të thotë bllokim i kultivimit të hashashit. Në kuadër të këtij operacioni, që ka nisur disa kohë më parë, dje rreth orës 09:00, në aksin Gjirokastër-Dervicjan, në lagjen Kordhocë, pjesa e poshtme e fshatit Lazarat u bllokua një kamion 10 tonësh. Sipas policisë, bllokimi i këtij kamioni ka ardhur pas dyshimeve së në bordin e karrocerisë, fshiheshin cisterna me ujë apo dhe pleh organik, për të stimuluar rritjen e hashashit. Për të mos rënë në sy të policisë, porositësit e cisternave kishin faturuar një maune që shërben për transport mallrash e mbuluar me mushama. Pas kontrollit të befasishëm, policia mundi të gjente tre cisterna plastike nga 2 tonë, secila të mbushura me ujë. Dyshohet se ato ishin marrë nga drejtuesi i automjetit kundrejt pagesës nga ana e kultivuesve të Lazaratit, për të ujitur bimët narkotike në këtë fshat. Kamioni është bllokuar dhe ndodhet në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. Por sipas policisë, drejtuesi i saj nuk është arrestuar pasi nuk rezulton që ai të ketë kryer vepër penale. Në momentin e bllokimit nga policia, drejtuesi i kamionit nuk dispononte asnjë dokumentacion shoqërues. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, këto kontrolle për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike, si dhe aksionet e nisura ditë më parë për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me kanabis, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjithë zonën jugore. Në aksin rrugor Gjirokastër -Dervician 5 km i gjatë, forcat e policisë patrullojnë 24 orë, duke bërë të mundur bllokimin e të gjitha automjeteve që tentojnë të hyjnë në fshatin Lazarat, të ngarkuara me ujë dhe pleh organik. Vetëm gjatë këtij muaji, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në këtë aks rrugor, janë bllokuar tetë kamionçina të ngarkuara me cisterna metalike dhe plastike që shërbenin për transport uji, si dhe 16 kamionçina të ngarkuara me pleh organik, të cilat po tentonin të hynin për në Lazarat. Sipas informacioneve të siguruara nga policia, në Lazarat rezulton se numri i bimëve narkotike të mbjella në krahasim me vitin e kaluar, rezulton të jetë 80 për qind më pak. Kjo ka ardhur pas reagimit të uniformave blu, për të mos lejuar asnjë mjet motorik të hyjë në fshatin “rebel” me ujë apo preparate stimuluese për mbarështimin e hashashit. Policia e Gjirokastrës nuk ka organizuar asnjë aksion për shkatërrimin e bimëve narkotike në këtë fshat.                    p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›