Ekspertët e sigurisë: Bosnja e Hercegovina, bazë e terroristëve islamikë
Në Bosnjë e Hercegovinë ekziston një rrjet i zhvilluar për mbështetje të terroristëve islamikë dhe në territorin e saj gjenden rreth 80 persona të rëndësishëm nga bota e terrorizmit, të mbrojtur me një identitet të ri. Lajmi bëhet i ditur nga Xhevad Galiesheviç, anëtar i ekipit të ekspertëve për Europën Juglindore për luftën kundër terrorizmit. “Bosnja e Hercegovina është bazë e terroristëve islamikë. Ata këtu jetojnë të qetë”,- tha Galisheviç me rastin e arratisjes së Karai Kamel bin Ali, i njohur si Abu Hamza. Ai është qytetar i Bosnjës dhe Hercegovinës me preardhje nga Tunizia dhe para disa ditësh është arratisur nga burgu në Zenicë. Galisheviç thotë se Abu Hamza është njëri prej terroristëve më të rrezikshëm në botë.
Kroaci- Slloveni, takim për çështjen e kufirit
Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor do të takohet sot me kryministrin slloven, Borut Pahor, në përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kufirin, e cila e ka bllokuar rrugën e Zagrebit për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Jam optimiste dhe besoj se do të mund të arrijmë rezultate konkrete në të ardhmen e afërt”,- tha Jadranka Kosor. Takimi i mëparshëm ndërmjet ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader, dhe kryeministrit slloven, Borut Pahor, në muajin shkurt të këtij viti përfundoi pa ndonjë rezultat. Sllovenia i ka bllokuar bisedimet për anëtarësimin e Kroacisë në BE, në dhjetor të viti të kaluar. Mosmarrëveshja kufitare daton që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në vitin 1991.
IRAN
Opozita përkujton viktimat
Udhëheqësit e opozitës në Iran kanë premtuar se do të marrrin pjesë në ceremoninë përkujtimore ndaj viktimave të protestave më të fundit në vend. Qeveria ka refuzuar leje për një ceremoni përkujtimore shiite ose Arba’een për të përkujtuar 40 ditë zie për Neda Agha Soltan, që u vra gjatë protestave që pasuan zgjedhjet e muajit që shkoi. Në shenjë respekti ndaj saj, përfaqësuesit e opozitës kanë vendosur të shkojnë në varreza, bashkë me familjarët e Nedas. Mendohet se do të zhvillohen protesta të tjera në Teheran, ndërsa shtohet zemërimi në lidhje me keqtrajtimin e qindra protestuesve që janë burgosur.
SHBA
Shtyhet seanca e të akuzuarve për terrorizëm
Shtyhet për javën tjetër seanca për shtatë të akuzuarit për terrorizëm në Shtetet e Bashkuara, mes të cilëve edhe një kosovar me emrin Hysen Sherifi. Avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar më shumë kohë në mënyrë që të përgatiten më mirë. Në seancën dëgjimore pritet që prokurorët federalë të paraqesin fakte, duke ftuar edhe agjentë të FBI-së të dëshmojnë për akuzat ndaj grupit. Prokuroria duhet t’i dëshmojë gjykatës se personat e arrestuar jane të rrezikshëm.
Koreja e Veriut
Kapet një anije koreano jugore
Zyrtarët koreano jugorë thonë se një anije peshkimi është kapur dhe rimorkiuar në një port koreano verior. Agjencia koreano jugore e lajmeve “Yonhap” citon një zyrtar i cili ka thënë se incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Detin e Lindjes, ose Detin e Japonisë. Zyrtari tha se incidenti ndodhi kur sistemi satelitor i navigimit i anijes nuk funksionoi siç duhet dhe aksidentalisht hyri rreth 11 kilometra në brendësi të ujrave territoriale të Koresë së Veriut. Katër persona ishin në bord të anijes kur u kap nga autoritetet koreano veriore.
Britani e Madhe
Hapet hetimi për luftën në Irak
Britania ka hapur hetimin për përfshirjen e vendit në luftën në Irak. Kritikët shpresojnë se hetimi do të qartësojë dyshimet për manipulimet e inteligjencës, që thuhet se kanë justifikuar vendimin e Britanisë për t’ju bashkuar trupave ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, në Irak në vitin 2003. Vendimi i mëparshëm i kryeministrit britanik, Gordon Braun, për mbajtjen e seancave dëgjimore larg vëmendjes së opinionit publik, u ndryshua pas kritikave të opozitës. Kryesuesi i hetimit, Xhon Çillkët, tha se pjesa më e madhe e seancave dëgjimore do të jenë publike.
31 Korrik 2009