E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merimanga pickon tri gra

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Vejusha e zezë “sulmon” gratë teksa punojnë në arë. Vetëm dje, në spitalin e Beratit janë paraqitur në gjendje të rëndë tri gra, të cilat ishin pickuar nga merimanga. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është e rëndë, për shkak se zonat ku kanë ndodhur ngjarjet janë mjaft të thella dhe kanë kaluar disa orë, derisa viktimat kanë mbërritur në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
“Vetëm gjatë kësaj jave në spitalin rajonal të qytetit janë paraqitur 5 raste urgjencash, 3 prej të cilave kanë ardhur sot (dje). Ato ndodhen në gjendje kritike në repartin e reanimacionit të këtij spitali”, bënë të ditur mjekët që kanë asistuar me serume ndaj të pickuarave. Mësohet se në spital dje janë paraqitur Afërdita Shkoza, 28 vjeçe, nga fshati Karkanjoz i komunës Roshnik, Bajame Çela, 55 vjeçe, nga fshati Karitës i komunës Lumas dhe Rrape Sani, 60 vjeçe nga fshati Verjon i komunës Otllak. Dy nga viktimat janë pickuar në këmbë teksa punonin në arë, ndërsa një tjetër në krah. Siç u shprehën edhe vetë viktimat, menjëherë pas pickimit të insektit helmues, ato kanë ndjerë mpirje të trupit, dhimbje në kraharor, vështirësi në frymëmarrje, por më pas edhe temperaturë. Largësia e fshatrave, në të cilat jetojnë tre gratë e pickuara nga merimanga e zezë, ka bërë që ato të mbërrinin në spital në gjendje mjaft të rënduar, pasi helmi kishte përparuar. Mjekët e spitalit të Beratit u shprehën se gjendja e tyre fillestare ka qenë shumë e rëndë. Por ata kanë vlerësuar situatën duke iu injektuar menjëherë të tre grave serumin antivipera, e cila shërben për raste të pickimeve të gjarprit dhe të merimangave. Mësohet se gjatë javës janë paraqitur edhe dy raste të tjera të viktimave të pickuara nga “vejusha e zezë”. Ndërsa në javën paraardhëse ka pasur tetë pacientë të trajtuar me antivipera. Ashtu sikurse rastet e djeshme, edhe ato kanë qenë gra të ardhura nga zonat e thella në gjendje mjaft të rëndë, për shkak të vonesës së ndihmës mjekësore. Ndonëse gjendja e tre pacienteve të paraqitura dje është përmirësuar disi, bluzat e bardha bënë të ditur se duhet të paktën 48 orë për të konfirmuar nëse janë jashtë rrezikut për jetën. Mjekët u shprehën se ky sezon shoqërohet çdo vit me raste të tilla të pickuarish, jo vetëm nga merimanga e zezë, por edhe nga gjarpërinjtë e insekte të tjera helmuese. Rrape Sani është shtruar në repartin e reaminacionit. Ajo u shpreh dje se ishte duke korrur jonxhë, kur kishte ndjerë pickimin e insektit vdekjeprurës e më pas dhimbje të forta e këputje trupi. “Pashë që po lëvizte me shpejtësi një merimangë e zezë. U tremba shumë dhe kërkova menjëherë ndihmën e familjarëve që të më çonin në spital. Më pas më ra të fikët, dhe e kam marrë veten vetëm pasi kam ardhur në spital, ku mjekët më bënë edhe serume”, u shpreh 60- vjeçarja. Ndërsa 28-vjeçarja Afërdita Shkoza rrëfeu si kishte qenë në arë, kur kishte ndjerë pickimin dhe më pas dhimbje të forta.

“Vejusha e zezë”
Merimanga me emrin shkencor “Latrodectus tredecimguttatus”, njihet si “Vejusha e zezë”, sepse femra e kësaj specieje e vret mashkullin me helmin e saj menjëherë pas çiftimit. Merimanga ka një gjatësi prej 1-3 cm, ngjyrë të zezë me disa pulla të kuqe, por që mund të jenë edhe të verdha apo portokalli. Helmi i saj mund të rezultojë fatal për jetën dhe personat e rrezikuar janë bujqit. Vitet e fundit, ky insekt ka shkaktuar dhjetëra të vdekur në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›