Kuçi: “Njohja e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit”
Blerina Olldashi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi zhvilloi dje një takim me një grup deputetësh nga Jordania, Egjipti dhe Iraku. Kuçi tha se njohja e Kosovës nuk dëmton askënd, por i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Deputetët ndërkohë garantuan zëvendëskryeministrin e Kosovës se do të angazhohen për të nxitur qeveritë e vendeve të tyre që të marrin sa më shpejt një vendim për njohjen e shtetit të ri. Kuçi gjatë takimit ka njohur deputetet e tri shteteve arabe me gjendjen në Kosovë dhe theksoi ndërtimin e shtetit modern dhe demokratik si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Ai shprehu mirënjohjen për katër shtetet arabe që kanë njohur deri tani Kosovën dhe kërkoi nga 18 shtetet e tjera arabe të cilat ende nuk e kanë njohur vendin, që ta bëjnë sa më shpejt. Ai i kërkoi delegacionit të shteteve arabe që të kuptojnë kërkesat e qytetarëve të Kosovës dhe të kuptojnë se perceptimi për ish-Jugosllavinë duhet të ndryshojë nga e kaluara. “Rajoni dhe ish-Jugosllavia tani janë krejtësisht ndryshe”,- tha mes të tjerash Kuçi. Deputetët u shprehën se kjo vizitë u shërbeu për t’u njohur me zhvillimet dhe situatën në Kosovë, si dhe premtuan se do të angazhohen për të nxitur qeveritë e vendeve të tyre që të marrin një vendim për njohjen e shtetit të Kosovës. Delegacioni u takua gjithashtu me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj në takim me deputetët arabë shprehu gatishmërinë e tij që të kontribuojë në njohjen e Kosovës nga vendet arabe. Ai tha se është i gatshëm të lobojë tek këto shtete për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Delegacioni nga Jordania, Egjipti dhe Iraku është ftuar në Kosovë nga Klubi për Politikë të Jashtme, me qëllim të njohjes së sa më shumë fakteve dhe argumenteve se pse shtete duhet ta njohin Kosovën. Një tjetër problem për njohjen e Kosovës është konsideruar edhe procesi që ka çuar në Gjykatën e Hagës, Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e ri. Kuçi siguroi se procesi i njohjes së Kosovës nuk do të lidhet me mendimin këshillëdhënës të GJND-së dhe mendimi këshillëdhënës do të jetë në favor të Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se shpallja e pavarësisë ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe pret që ky të jetë edhe konkluzion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kuçi thotë se shumë shtete themeluese të kësaj gjykate e kanë njohur Kosovën dhe këtë do ta bëjnë edhe vende tjera, pavarësisht procesit në GJND. “Nuk do të donim që ky mendim këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë pretekst për askënd që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ju e dini që Kosovën e kanë njohur edhe ato shtete, të cilat e kanë themeluar këtë Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë”,- tha Kuçi.
31 Korrik 2009