Korçë, arrestohet për mitmarrje oficeri i antidrogës
Mësohet se oficeri kërkoi para në këmbim të lirisë së një të arrestuari për shpërndarje droge
Korçë- Një oficer i antidrogës është arrestuar dje nga SHKB-ja, nën akuzën e mitmarrjes. Dashnor Karanxha, inspektor pranë sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë në Korçë është prangosur nga një grup punonjësish të Drejtorisë së SHKB-së, të ardhur posaçërisht nga kryeqyteti, të cilët nuk kanë vënë në dijeni as kolegët e tyre të SHKB-së në juglindje. Mësohet se inspektori i Antidrogës ka përfituar 200 mijë lekë nga i afërmi i një të arrestuari për shpërndarje droge, duke i premtuar lirimin nga burgu, ndërsa aventura e tij pas marrjes së zarfit është mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme.
***
Gjithçka është zhvilluar në mënyrë shumë të fshehtë nga përfaqësuesit e Drejtorisë së SHKB-së, të ardhur nga kryeqyteti, të cilët kishin marrë njëherësh sinjalizimin për shumën e kërkuar nga ana e një oficeri të policisë së shtetit, i vënë në ndjekje prej tyre. Arrestimi i Dashnor Karanxhës, 35-vjeçar, nga Korça, me detyrë inspektor pranë sektorit të Antidrogës dhe njëherësh oficer i policisë gjyqësore për çështjet që lidheshin me sektorin ku ai punonte, është kryer pikërisht në zyrën e tij, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës. «Arrestimi është bërë rreth orës 13.15 të së premtes»- njoftojnë burimet policore. Duke iu referuar burimeve nga policia e juglindjes, mësohet se shtetasi E.Sh. ka shkuar t’i japë të hollat që i ka kërkuar inspektori në këmbim të lirimit nga dhomat e paraburgimit të një të afërmi të tij. Mësohet se qytetari ka ndjekur porosinë e Karanxhës, ndërkohë kishte njoftuar dhe organe të tjera për këtë kërkesë që atij i është dukur absurde.
***
Sipas burimeve zyrtare, qytetari, i qetë dhe duke pranuar kushtin e vënë nga Dashnor Karanxha që kishte premtuar se do të lironte shpërndarësin e drogës, dosjen e të cilit ishte duke trajtuar në prokurorinë e Korçës, ka kryer pagesën. “Ai i ka futur të gjitha të hollat në një zarf dhe i ka dorëzuar ato pikërisht në zyrën e punës së të ndaluarit”- thonë burimet zyrtare. Vetëm pak minuta pasi personi në fjalë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, por jepen vetëm inicialet e tij është larguar, kanë mbërritur në mënyrë të befasishme përfaqësuesit e SHKB-së, duke prangosur në kushtet e flagrancës 35-vjeçarin Dashnor Karanxha. Madje atij i është gjetur dhe zarfi me 200 mijë lekë, i cili gjendej në tavolinën e tij të punës. Pas kësaj 35-vjeçari nga Korça është arrestuar, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ai nuk ka pranuar të ketë kërkuar shumën e parave, që i janë bllokuar në cilësinë e provës materiale.
***
Karanxha akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe mitmarrjes. Arrestimi i oficerit të antidrogës njëherësh dhe oficer i policisë gjyqësore ka ardhur pasi ai kishte në dorë hetimin e arrestimit të pak kohëve më parë të një të riu nga Korça, i ndaluar me një sasi droge. Shpërndarësi i drogës kishte përfunduar në burg, ndërkohë që hetimi i mëtejshëm i kësaj çështjeje i ishte lënë në dorë Karanxhës. Kanë qenë të afërmit e të ndaluarit, të cilët kanë marrë kontakt me të arrestuarin me uniformë policie. Sipas dëshmisë së bërë në polici, ata kanë pranuar se u janë kërkuar para në këmbim të lirisë. Mësohet se në bisedime me oficerin, që kanë vazhduar për disa kohë ka hyrë një njeri shumë i afërt i shpërndarësit, shtetasi me inicialet E.SH.