Fier, policia bllokon katër klinika pa licencë
FIER- Klinikat mjekësore private që veprojnë në qytetin e Fierit kanë kaluar dje në sitën e policisë së shtetit dhe asaj tatimore, të cilat kanë arritur që të evidentojnë se katër prej tyre vepronin pa licencat përkatëse. Të katërta këto klinika janë bllokuar nga policia dhe tashmë duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës në tatime në Ministrinë e Shëndetësisë. Burimet zyrtare të policisë pohuan dje se u ushtrua kontroll ne 37 klinika mjekësore, klinika dentare, laboratorë dentarë dhe laboratorë analizash private. “Kontrolli i ushtruar nga ana jonë kishte si objekt kontrollin e certifikatave të regjistrimit në organet tatimore dhe lejeve të ushtrimit të profesionit të mjekut të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për ushtrimin e aktivitetit. Pas kontrollit të ushtruar në 37 klinika mjekësore private, nga ana e policisë tatimore u bë bllokimi i katër prej tyre pasi nuk dispononin certifikatën e regjistrimit pranë Organeve Tatimore si dhe lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut nga Ministria e Shendetësisë”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, bëhet fjalë për klinikat e mjekut stomatolog Artan Canaj në lagjen “1 Maji”; Klinika dentare e mjekut stomatolog Delo Pashaj në lagjen “Kastriot”; Klinika dentare e mjekut stomatolog Artjan Spahiu në lagjen “Kryengritja e Fierit”; Klinika mjekësore për sëmundjet e mushkërive të mjekut Veli Muskaj në lagjen “Apolonia”.