Fierzë, punonjësit në protestë për kushtet e punës
Rreth 120 punonjës të Hidrocentralit më të madh në Shqipëri kanë protestuar duke kërkuar takim me kreun e KESH
Drejtori i HEC-it thërret policinë për të mos lejuar zhvillimin e protestës në mjediset e brendshme
KUKËS- Rreth 120 punonjës të Hidrocentralit të Fierzës kanë zhvilluar paraditen e djeshme një protestë paqësore në kërkim të ndryshimit të pikave të kontratës, rritjes së pagave dhe kushteve më të mira të punës. Policia ishte njoftuar më parë për protestën dhe ka tentuar që të ndalojë punonjësit ta zhvillojnë atë në mjediset e hidrocentralit. Në këto kushte, ata janë detyruar ta zhvillojnë protestën tek porta hyrëse e HEC-it Fierzë. Kjo protestë ka qenë e paralajmëruar prej disa ditësh, pasi kërkesat e punonjësve nuk kishin gjetur zgjidhje nga Divizioni i Prodhimit në KESH.
***
Katër turne të HEC-it Fierzë si dhe repartet ndihmëse si ato të repartit mekanik dhe të mirëmbajtjes i janë bashkuar protestës të se premtestë punonjësve të HEC-it të Fierzës, ndërkohë që prodhimi i energjisë elektrike në këtë hidrocentral nuk është ndërprerë për asnjë çast, pasi një turn ka qenë në punë. Lirim Alia, kryetar i Sindikatës së Pavarur të HEC-it Fierzë ka bërë të ditur për “Shekulli”-n se protesta u zhvillua, pas dështimit të bisedimeve në mes të sindikatës së HEC-it dhe Drejtorit të Divizionit të Shpërndarjes në KESH, Muharrem Stojku. Sindikalistët e HEC-it të Fierzë kishin zhvilluar disa raunde bisedimesh me Stojkun ku kishin kërkuar nënshkrimin e kontratave të punës të nivelit të dytë në mes të punonjësve të HEC-it dhe drejtorisë së tij. Por një gjë e tillë nuk është lejuar nga ana e Divizionit të Prodhimit në KESH. Sindikalistët deklarojnë se lidhja e kontratës së nivelit të dytë u takon në bazë të Kodit të Punës të vitit 2007. Të enjten një grup sindikalistësh të HEC-it janë takuar me drejtorin e HEC-it Fierzë Qazim Dushaj, ku edhe përgjigjja e këtij të fundit ka qenë negative. Sipas drejtorit të HEC-it, nuk mund të lidhe kontratë me punonjësit e tij, pasi kjo është bere me Divizionin e Prodhimit në KESH. Përfaqësuesit e grevës kanë njoftuar drejtorin Qazim Dusha se do të zhvillojnë një protestë paqësore të premten, por edhe me këtë rast përgjigjja e drejtorit ka qenë negative, pasi sipas tij, greva është e paligjshme. Nisur nga paligjshmëria e grevës, drejtori i HEC-it nuk ka lejuar gjithashtu që ajotë zhvillohej në mjediset e HEC-it. “Në mjediset e HEC-it Fierzë janë dy shesh- pushime, ku në njërin prej tyre parkohen automjetet, por në asnjërin prej këtyre shesheve nuk na është lejuar nga drejtoria që të mbanin protestën, nën pretekstin se greva është e paligjshme. Jemi detyruar ta zhvillojmë protestën në hyrje të HEC-it nën vapën përvëluese”, -shprehet kryetari i Sindikatës, Lirim Alia.
***
Përpara protestës, në mjediset e Fierzës ishin vendosur dhjetëra forca policie të Tropojës. Burime nga ky komisariat bëjnë të ditur se “izolimi” i zonës është bërë me kërkesë të drejtorit Qazim Dushaj. Kërkesa të tjera të punonjësve kanë qenë rritja e pagës në masën 20% duke e indeksuar atë me rritjen e çmimeve, si dhe marrja e pagës një herë në 15 ditë si më parë dhe jo si aktualisht ku paga merret një herë në muaj. Punonjësit kanë kërkuar edhe përmirësimin e kushteve të punës, ku ka mbi tre vjet që nuk kanë transportin e siguruar nga vendi i punës për në shtëpitë e tyre. “Janë vetëm dy furgonë për 60 punëtorë të HEC-it që lëvizin nga Bajram Curri në Fierzë e anasjelltas. Mungesën e transportit drejtoria e justifikon me moszhvillimin e tenderit të transportit”,- shprehet kryetari i sindikatës. Në fund të protestës, punonjësit kanë kërkuar që të mos humbasin më kohë me takime boshe por një përfaqësi e tyre të pritet nga kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi.