Bllokohet importi i qumështit nga Kina
Bllokohet importi i qumështit nga Kina. Pas skandalit në këtë shtet, ku humbën jetën dhjetëra vetë dhe rezultuan të infektuar mijëra të tjerë, Ministria jonë e Bujqësisë ka nxjerrë urdhrin e ri. Kjo pasi në tregun kinez është hedhur një sasi e madhe qumështi me përmbajtje (melamine), lëndë kimike kjo shumë e rrezikshme e me pasoja jetike për shëndetin. Dyshimet se sasi të kontaminuara mund të kenë mbërritur edhe në Shqipëri kanë detyruar ministrin Jemin Gjana, të marrë masën në fjalë. Ndërkaq, burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se këtë vit kanë hyrë 139 tonë qumësht kinez. "Qumështit të importuar nga Kina do t'i bëhen analizat në një vend të Bashkimit Evropian për sasinë e melaminës. Deri në marrjen e përgjigjeve, të gjitha produktet do të jenë të bllokuara dhe në rast se përmbajtja e melaminës del e lartë ato do të asgjësohen menjëherë", thekson ministria. Urdhri i Ministrisë së Bujqësisë parashikon gjithashtu, bllokimin e qumështit dhe produkteve të tjera me bazë qumështi nëse gjenden në tregun tonë. "Të bllokohet tregtimi i qumështit dhe produkteve me bazë qumështi që ndodhen në treg me origjinë nga Kina deri në marrjen e rezultateve të analizave për përmbajtjen e melaminës. Operatori i biznesit ushqimor përgjegjës për importin dhe/ose tregtimin e produkteve të lartpërmendura merr masat për tërheqjen e tyre nga tregu në rast se pas analizimit në një laborator të një vendi të BE-së përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuar në standarde dhe kryen menjëherë asgjësimin e produktit", saktëson urdhri. Për zbatimin e tij ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Pikat e Inspektimit Kufitar, Inspektorati Veterinar i Bashkive pranë doganave, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe operatorët e biznesit ushqimor. Ai vjen menjëherë pas embargos, që Komisioni Evropian u bëri produkteve me bazë qumështi nga Kina, për të gjitha vendet e BE. Produktet e qumështit nga tre fabrika kineze rezultuan pozitive pas testeve për lëndën tripolicianamidi, e njohur ndryshe si melaminë. Ekspertët e shëndetësisë thonë, se melanina tek të rriturit mund të shkaktojë gurë në veshka, ulcerë në rrugët urinare, si dhe inflamacione të syve dhe lëkurës. Ndërsa për foshnjat e porsalindura pasojat mund të jenë fatale deri në humbje të jetës.