Lange: Shqipëria ende probleme me korrupsionin
Zyrtari i lartë i KE-së, Dirke Lange, ndodhet në Shqipëri për të ndjekur nga afër procesin e reformave të Shqipërisë përpara hartimit të progres-raportit të BE-së. Vëzhgimi i tij do të fokusohet në lidhje me procesin e reformave, luftën kundër korrupsionit, si dhe situata politike. "Ne po e shikojmë shumë këtë çështje dhe për këto elemente ka disa raporte me elemente pozitive, siç është publikuar kohët e fundit, por na duhet të shohim dhe gjëra të tjera. Sepse, p.sh. raporti i TI-së thotë se situata është përmirësuar, por ne e konsiderojmë se ka ende problem serioz me korrupsionin", deklaroi ai. Për situatën politike dhe përplasjet ndërmjet institucioneve të pavarura me qeverinë, Lange theksoi se, "nuk e njeh atë nga afër, por progres-raporti i BE-së do të trajtojë të gjitha çështjet". Në lidhje me Gërdecin, Lange ka theksuar se, "kjo nuk do të ndikojë në procesin e integrimit, për sa kohë Prokuroria po heton këtë çështje".