E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: Të forcohen institucionet e pavarura

 

USAID vlerëson si të rëndësishëm forcimin e institucioneve të pavarura. Qëndrimin e bëri të ditur dje Roberta Mahonei, e cila ka ardhur në vendin tonë në detyrën e Drejtores së USAID-it, gjatë takimit me Presidentin Topi, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan. "Mahonei shprehu gjithashtu vlerësimin për reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë që kanë për një vend demokratik e aspirues për të qenë anëtar i familjes euro-atlantike, konsolidimi i shtetit të së drejtës, ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavarura, lufta kundër korrupsionit dhe një sistem drejtësie i pavarur, i shëndoshë dhe i barabartë për të gjithë", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidentit. Nga ana e tij Presidenti i Republikës dha një pasqyrë të zhvillimeve më kryesore në vend, duke u ndalur në reformat e ndërmarra, ato kushtetuese, zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, sidomos në luftën kundër korrupsionit, etj. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë si në kuadrin e integrimit në NATO, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›