Kriza financiare mbledh krerët e bankave
Fabiola Çela
Kriza ndërkombëtare financiare ka mbledhur së bashku krerët e bankave të rajonit. Ekspertët e ekonomisë kanë theksuar faktin se bankat e Evropës Juglindore nuk janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo krizë. Por pavarësisht kësaj, ata e kanë cilësuar si të domosdoshëm faktin se bankat qendrore duhet të rrisin masat kontrolluese, në mënyrë që të parandalohet çdo situatë e pakëndshme në sistemin bankar. Gjatë këtij takimi guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani ka deklaruar se sistemi bankar në vend nuk është prekur nga kjo krizë.
Fullani
Në takimin e zhvilluar dje në Sofje të Bullgarisë Fullani ka vënë në dukje faktin, se bazat e ekonomisë shqiptare vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe sistemi bankar në Shqipëri vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe likuid. Megjithatë, zhvillimet e fundit në tregun global diktojnë nevojën për një kujdes më të madh, në zhvillimin e ekuilibruar të veprimtarisë bankare. Shumë i rëndësishëm mbetet fakti, që ekonomia jonë duhet të ruajë dhe të zhvillojë më tej faktorët që mbështesin rritjen ekonomike të vendit dhe stabilitetin makroekonomik të tij. "Vetëm një ekonomi e qëndrueshme krijon bazat e shëndosha për një aktivitet financiar efektiv dhe dobiprurës. Për këtë qëllim, thellimi i reformave strukturore mbetet një element thelbësor për çdo vend të rajonit", kanë thënë në fund të fjalës së tij guvernatori i bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.
Takimi
Për të tretin vit radhazi Autoritetet Mbikëqyrëse Bankare të Evropës Juglindore, zhvilluan një takim të përbashkët. Këtë vit takimi u zhvillua në Sofje të Bullgarisë dhe merrnin pjesë guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës, Qipros, Republikës së Maqedonisë, të Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë, si dhe drejtuesit e Agjencive Bankare të Bosnje-Hercegovinës dhe të Republikës Serbe.
Gjatë takimit pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi krizën financiare globale dhe ndikimet që ajo mund të shkaktojë në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën, se pasojat e trazirave në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat filluan në vitin 2007 dhe janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kanë pasur deri në këto momente ndikime të tërthorta ose të kufizuara mbi ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Sipas tyre, aktualisht bankat me prani të lartë në rajon nuk kanë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregjeve, që po ndikohen nga kjo krizë. Ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore vijojnë të dëshmojnë qëndrueshmëri, rritje të lartë ekonomike dhe rezistencë ndaj mjedisit të përkeqësuar financiar dhe ekonomik në botë. Megjithatë, guvernatorët e bankave qendrore kanë pranuar gjithashtu, praninë e pasigurive të mëdha për të ardhmen e ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore, që rrjedhin nga ngadalësimi i mëtejshëm dhe i mundshëm i normave të rritjes të prodhimit dhe të tregtisë botërore, në rast se kriza financiare globale do të shtrihet në kohë. Përballë një situate të tillë guvernatorët theksuan rëndësinë e të pasurit baza të shëndosha financiare dhe ekonomike në rajon.
Vendimet e marra në takim
Krahas shkëmbimit të rregullt të informacionit, të shkëmbehet informacion sasior dhe cilësor mbi zhvillimin e sistemit bankar në vendet e Evropës Juglindore, në bazë vjetore dhe në rastet e tjera kur lind nevoja;
Të përgatitet dhe ruhet një listë e mbikëqyrësve bankarë të linjës për çdo grup bankar, që operon në vendet e Evropës Juglindore;
Të ngrihet një grup i veçantë ekspertësh për stress-test-et, të cilët do të kenë për detyrë hartimin e metodologjisë për kryerjen e stress-test-eve në nivel grupi bankar, për çdo grup bankar të vendeve të Evropës Juglindore që operon në rajon;
Të nxisin më tej funksionimin e kolegjeve të mbikëqyrësve për grupet bankare që operojnë në vendet e Evropës Juglindore, duke u bazuar në modulin e Komitetit të Mbikëqyrësve Bankarë Evropianë për marrëveshjet shumëpalëshe, për koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet mbikëqyrësve brenda dhe jashtë vendit.