Bosch: Rishikoni kuotën e 30% të grave në Kuvend
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, shprehu rezerva të premten lidhur me draftin për kuotat gjinore në Parlament, i cili sipas tij "nuk jep garanci për një pjesëmarrje të grave në Kuvend në nivelin 30%". Këto qëndrime, Bosch i bëri dje nga Vora gjatë ndjekjes së procesit të printimit të certifikatave elektronike. "Drafti parashikon që kuota për femrat të jetë në nivelin 30%. Por, për fat të keq, ky draft që është për momentin në diskutim nuk jep shanse sinjifikante për një numër të madh grash deputete në legjislaturën e ardhshme. I bëj thirrje të gjithë liderëve të politikës që të përpiqen t'i afrohen sa më shumë synimit për një pjesëmarrje të grave në Parlament me rreth 30%, sepse teksti që po diskutohet tani në tavolinë nuk jep asnjë lloj garancie të tillë", u shpreh kreu i OSBE-në. Ndërsa theksoi se modernizimin e sistemit të regjistrimit civil në vend OSBE e sheh si një instrument të rëndësishëm dhe të nevojshëm për mbështetjen e procesit të reformës zgjedhore.