KLD: Të anulohet projektligji i Alibeajt
Fatos Mahmutaj
Nuk do të ketë ligj të ri për administratën e gjyqësorit, por ligjit aktual për gjyqësorin do t'i bëhen shtesa dhe zgjerime me akte të tjera nënligjore, në mënyrë që të specifikohen detyrat e administratës së gjykatave dhe kancelarit.Me këtë përfundim doli dje Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një mbledhje me dyer të mbyllura që zgjati rreth gjashtë orë, në përfundim të së cilës pohohet se u rrëzua ideja e qeverisë dhe ministrit për votimin në Parlament të draftit të përgatitur nga qeveria. Burime nga mbledhja pohuan se u ra dakord që debati i zhvilluar të mërkurën në KLD, midis ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj nga njëra anë dhe anëtarëve të Këshillit e krerëve të gjykatave nga ana tjetër, të koncentrohej në mënyrë të përmbledhur dhe t'i dërgohet Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Kjo punë pritet të bëhet brenda pak ditësh, ndërsa me kopje të materialit anëtarët e Këshillit pritet të njihen dhe ta nënshkruajnë para se të dërgohet në Parlament. Të njëjtat burime sqaruan se argumentet për të vendosur që të mos bëhej ligji i ri, por të shtoheshin anekse nënligjore në ligjin e gjyqësorit, gjenden në nenin 44 të këtij ligji, ku thuhet: "Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 24, pika 1 dhe nenit 41, pika 2 të këtij ligji", si dhe "Ngarkohet KLD-ja që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet normative në zbatim të neneve 9, 12, pika 4, 13 pika 1, 14 pika 2, 21 pika 2 dhe 25 pika 2 të këtij ligji". Janë pikërisht këto pjesë të ligjit të gjyqësorit që krijojnë vakum përsa i përket përcaktimit të kompetencave të administratës dhe kancelarit të gjykatës, por nga ana tjetër ndalojnë në mënyrë absolute bërjen e ligjeve të tjera paralel. Në këtë nen të ligjit të gjyqësorit specifikohet saktë se Qeveria dhe KLD-ja duhet të nxjerrin akte nënligjore për të plotësuar vakumet. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i kontaktuar dje nga gazeta, pohoi se në mbledhjen e KLD-së u vendos ajo që ai kishte diskutuar me kryetarët e gjykatave rreth 10 ditë më parë dhe se, sipas tij, ky material do të koncentrohej dhe dërgohej në Komisionin e Ligjeve. Sipas ministrit, kryetarët e gjykatave për të njëjtën gjë kishin rënë dakord 10 ditë më parë, ndërsa kundërshtuan pa arsye në mbledhjen e KLD-së që u zhvillua me dyer të hapura. Ministri përfundoi duke sqaruar se dje në KLD u vendos që kancelari bashkë me kryetarin e gjykatës rregullojnë administrativisht punët në gjykatë.
Përplasjet
• Fuqizimi i kancelarit të gjykatës
• Anashkalimi i rolit të kryetarit të gjykatës
• Kompetenca e kancelarit të gjykatës
• Kompetencat e administratës së gjykatës
• Vakumi në marrëdhëniet kancelar - kryetar gjykate
Neni 44
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 24 pika 1 dhe nenit 41 pika 2 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet normative në zbatim të neneve 9, 12 pika 4, 13 pika 1, 14 pika 2, 21 pika 2 dhe 25 pika 2 të këtij ligji.