Reforma Zgjedhore, BE:Kodi i ri brenda këtij muaji
BLEDAR HOTI
Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja i kërkuan qeverisë dhe opozitës miratimin e Kodit të ri Zgjedhor brenda muajit tetor. Procesi i ri zgjedhor, si dhe pajisja me karta të identitetit të shtetasve shqiptarë, ka sjellë në Tiranë shefin e sektorit përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Dirk Lange, i cili së bashku me ambasadorin e OSBE-së, Robert Bosch, ndoqën nga afër procesin e dixhitalizimit të zyrës së Gjendjes Civile në Vorë. Apeli i dy ndërkombëtarëve është që Reforma Zgjedhore të realizohet brenda afateve të parashikuara. Dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë kanë ndjekur nga afër procesin e dhënies së certifikatave në mënyrë elektronike në Bashkinë e Vorës. "Kodi elektoral nuk është ende gati, i bëj thirrje qeverisë të ecë para në këtë situatë. Ka një domosdoshmëri që Kodi të jetë gati shumë kohë para zgjedhjeve. Ato do të jenë në qershor dhe me sa di ka një shpresë që Kodi do të jetë gati brenda këtij muaji. Kjo është një nga arsyet se pse jam këtu, ka një regjistër civil, ne e kemi mbështetur procesin me OSBE-në që të kemi një regjistër të saktë të votuesve shqiptarë, do të shpresojmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë sipas standardeve", tha Large. Edhe ambasadori i OSBE-së, Bosch, mbajti të njëjtin qëndrim në lidhje me procesion e reformës zgjedhore, pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit. "Me gjithë ecurinë e punës së komisionit të posaçëm, misioni i tij duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke arritur në të njëjtën kohë dhe konsensusin më të gjerë të mundshëm midis aktorëve të interesuar", deklaroi Bosch. Sipas tij, "Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e sheh modernizimin e sistemit të regjistrimit civil në vend si një instrument të rëndësishëm dhe të nevojshëm për mbështetjen e procesit të Reformës Zgjedhore. Është e qartë që listat e votuesve do të jenë një rezultat kyç i sistemit të regjistrimit civil. Kështu që, cilësia e të dhënave përbën një element thelbësor për modernizimin dhe përmirësimin e ardhshëm të shërbimeve publike". "Përpjekje të mëtejshme duhet të ndërmerren. Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave duhet të ngrihet dhe puna për sistemin e adresave duhet të vazhdojë. Por hapa të rëndësishme po merren", tha Shefi i Prezencës së OSBE-së. Large nga ana e tij në këtë takim theksoi rëndësinë e plotësimit të infrastrukturës zgjedhore para zgjedhjeve të përgjithshme në 2009 si dhe rëndësinë e arritjes së një progresi të kohshëm në përfundimin e punës me regjistrin civil, Kodin Zgjedhor dhe administratën zgjedhore. I pranishëm në këtë takim, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka bërë të ditur se "procesi i prodhimit të kartave të identitetit do të fillojë në fund të këtij viti, ndërsa regjistri kombëtar i gjendjes civile do të përfundojë brenda muajit tetor".