Bllokohet një tren me pasgjerë në galerinë e ngushticës së La Manshit
Treni i Eurostar, i linjës Bruksel-Londër me 260 pasagjerë në bord është bllokuar për gati tre orë në galerinë poshtë ngushticës së La Manshit mëngjesin e së enjtes. Treni është rimorkiuar nga ekipet e ndihmës dhe ka dalë nga ana britanike e tunelit. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i kompanisë hekurudhore. Treni kishte probleme tek lokomotiva e motorit dhe shërbimi u pezullua përkohësisht. Kështu që në atë momente, të gjitha shërbimet e Eurostar u bllokuan, si pjesë e masave paraprake.
Edhe të mërkurën e kaluar, katër udhëtime të trenave të Eurostar u anulluan për shkak të motit të keq që u përplas që të martën në verilindje të Francës. Shoqata hekurudhore SNCF, iu ka kërkuar pasagjerëve që t'i shtyjnë udhëtimet e tyre sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo nuk është hera e parë që regjistrohen probleme në tunelin poshtë La Manshit. Edhe në dhjetor, katër trena të Eurostar pësuan një avari për shkak të ndryshimeve termike brenda dhe jashtë galerisë dhe mbi dy mijë pasagjerë që ishin në bordet e trenave u evakuan, pasi kaluan një natë në pritje dhe në panik.