E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat do të jenë axhenda e parlamentit, integrimi i vendit është detyrë e çdo deputeti”

17-01-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli fton opozitën të respektojë marrëveshjen me mazhorancën dhe të votojë ligjet e integrimit

Kuvendi i Shqipërisë çeli dje punimet e sesionit të VI-të të Legjislaturës së XVIII-të, ku u miratua edhe kalendari tre javor i punës në Kuvend. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fjalën e mbajtur në hapje të sesionit të ri parlamentar ftoi deputetët që të përmbushin detyrimet dhe të votojnë bashkërisht ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, që kanë në bazë integrimin e vendit në BE.
“Ky që po fillojmë sot është sesioni i VI-të i kësaj legjislature. Reformat kanë qenë axhenda jonë parlamentare dhe reformat do të jenë axhenda parlamentare edhe në këtë sesion. Disa ligje kërkojnë votën e opozitës. Pa këtë votë, ato nuk miratohen. Pa votën e opozitës disa kushte të integrimit nuk përmbushen. Ne duhet te përmbushim detyrat tona. Ne duhet votojmë për to të gjithë bashkë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Topalli theksoi se sot jetojmë në një Shqipëri të lirë, demokratike të ndryshuar, të rritur, vite drite larg asaj të pak viteve më parë.
Sipas saj, 100 vjetori i Pavarësisë, e gjen Shqipërinë të ndryshuar, një vend me rritje ekonomike dhe pranë realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, Shqipëria vend i zhvilluar dhe i integruar në BE.
“Në këtë 100 vjetor të madh, ne kemi të gjitha arsyet për të thënë se shqiptaret ia kanë dalë, se tek ne demokracia është funksionale, se shteti ligjor është besimi e betimi ynë, se Kushtetuta e vendit është ligji ynë suprem, se rritja ekonomike është arritje inkurajuese, se përmirësimi i jetës së shqiptarëve është qëllimi e axhenda jonë”.
Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se kalendari i punës për sesionin e ri parlamentar parashikon miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ndaj kërkoi bashkëpunimin e opozitës.
“Kalendari, ka disa ligje që kërkojnë votën e opozitës, pa votën e tyre ato nuk miratohen. Ekonomia dhe përmirësimi i jetës, ulja e varfërisë është synimi jonë për këtë vit. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë”, u shpreh më tej Topalli.
Në seancën e djeshme, e para për këtë vit, deputetët miratuan programin e punës së Kuvendit për periudhën (16 janar-24 shkurt), si dhe kalendarin tre javor për periudhën 16 janar-3 shkurt, vetëm me votat e mazhorancës. Sikurse edhe të enjten e kaluar, konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare miratoi vetëm me votat e shumicës,
kalendarin 3-javor, ndërkohë që opozita u shpreh kundër përfshirjes në rendin e ditës së ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. I njëjti qëndrim u shpreh dhe dje, ndërsa ende s’është e qartë nëse opozita do ndryshojë mendim dhe të japë konsensusin për 3 ligjet me shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›