Bllokohet për 48 orë lundra e Butrintit
Paralizohet për gati 48 orë qarkullimi i automjeteve përmes lundrës së Butrintit. Mësohet se platforma e lundrës (trapit) që lidh dy brigjet e kanalit të Vivarit, e cila ndodhet pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Sarandës, nuk do të funksionojë në dy ditët e ardhshme, për shkak të dëmtimit që ka pësuar agregati pak minuta pas mesnatës së të mërkurës, kur një kamion i tonazhit të rëndë i ngarkuar me tulla është përmbysur, duke marrë jetën e drejtuesit e automjetit. Shefi i qarkullimit rrugor në Komisariatin e Sarandës, Gjylani Shehu, ka thënë për "Shqip" se "kavoja metalike që shërbente për të tërhequr platformën e lundrës është dëmtuar plotësisht dhe për të rregulluar këtë avari duhet të paktën 48 orë". Kjo do të thotë që të gjithë drejtuesit e automjeteve që do të udhëtojnë në versionin e shkurtër drejt pikës së kalimit kufitar të Qafëbotës, që lidh Shqipërinë me Greqinë, nëpërmjet segmentit rrugor Sarandë-Butrint, nuk do të lejohen të qarkullojnë për 48 orët në vijim. Për këtë, në afërsi të fshatit Çukë është ngritur një postbllok, ku punonjësit e shërbimit të vendosur aty informojnë drejtuesit e automjeteve e sidomos emigrantët që udhëtojnë drejt vendeve të punës në Greqi, që të zgjedhin segmentin rrugor Sarandë-Xarrë, rreth 25 kilometra, ose atë Krane-Konispol, me gjatësi 35 kilometra".