Qëllojnë me armë mbi furgonin, plagoset nënë e bijë
Krimi i rrugës ka tronditur dje në mëngjes qytetin e Burrelit. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar mbi një furgon taksi udhëtarësh, ku si pasojë e breshërisë së plumbave të një automatiku, janë plagosur dy gra, nënë e bijë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Burgajet të Komunës Shoshaj-Lis në Rrethin e Matit, kur furgoni i linjës së fshatit Shëlli në Komunën e Macukullit, po udhëtonte drejt qendrës së rrethit Burrel. Ishte ora 08:10 e së enjtes, kur mbi furgonin e linjës Shëlli-Burrel, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë janë plagosur dy pasagjeret e vetme, që po udhëtonin me të. Mësohet se mbi furgonin që drejtohej nga Gëzim Metan 40 vjeç, është qëlluar me pesë plumba. Autorët ishin të fshehur në anë të rrugës automobilistike, kur papritur kanë dalë përpara automjetit dhe qëlluar me breshëri automatiku, duke lënë të plagosura nënë e bijë. Të lënduarat janë Zahide dhe Ensuida Meta, përkatësisht 55 dhe 20 vjeçe, të cilat mësohet se janë të afërme të drejtuesit të automjetit. Zahidja ka marrë një plumb në nofull, ndërsa e bija Ensuida është plagosur me dy plumba në trup. Pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Burrelit, të plagosurat janë dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një ndërhyrje kirurgjikale mjekësore më të kualifikuar. Burime nga spitali i qytetit bëjnë të ditur se pas ndërhyrjes kirurgjikale, ato janë jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia pohojnë se ngjarja nuk ka ndodhur për motive grabitjeje, por ka qenë tentativë vrasjeje. Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes ka marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, drejtuesin e mjetit, 40-vjeçarin Gëzim Meta, për të mësuar variantin e tij të ngjarjes. Ndër pistat e mundshme të hetimit, që mendohet se janë më afër së vërtetës, mbetet ajo e konflikteve të mundshme për çështje pronësie ose konkurrencë transporti udhëtarësh mes drejtuesit të mjetit. Policia ka shoqëruar disa persona të dyshuar, por nuk ka të akuzuar konkretë.
Ky nuk është rasti i parë kur udhëtarë të rastit bien pre e krimit të rrugës. Kujtojmë që katër muaj më parë, në prill të këtij viti, në Shkozet të Durrësit konflikti mes dy familjeve rome, ka pasur për bilanc plagosjen e pesë personave, të cilët udhëtonin me një autobus urban. Plumbat e shkrehur mes dy grupeve në konflikt kanë rënë mbi mjetin e linjës urbane Durrës-Sektori Rinia me targa DR 8248 E. Për pasojë kanë mbetur të plagosur pesë udhëtarët, mes të cilëve tri vajza. Konflikti i armatosur ndodhi në zonën e Nish Tullës së Vjetër, pranë tregut të shumicës së fruta-perimeve, e njohur ndryshe dhe si lagjja e romëve.