E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalon me kamion mbi lundër, humb në ujë shoferi

Një kamion i ngarkuar me tulla ka përfunduar në ujërat e Kanalit të Butrintit së bashku me shoferin, dje, në minutat e para të ditës. Pas një operacioni 12-orësh, është bërë nxjerrja e kamionit, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për viktimën Flamur Hasani, banor i Ksamilit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm pak minuta pas mesnatës, duke u gdhirë dita e enjte, kur kamioni, është ngjitur mbi platformën e lundrës që lidh dy brigjet e kanalit të Butrintit. Burimet policore thanë se në drejtimin e automjetit ka qenë 42-vjeçari Flamur Hasani, banor i Ksamilit, i cili ka humbur kontrollin mbi drejtimin e kamionit. Duke qenë i ngjitur në lundër, ai ka prerë timonin shumë majtas dhe kjo ka bërë që uji të mbushë një nga kazanët e platformës lundruese të lundrës dhe kamionit, dhe së bashku me shoferin të përfundojë në ujërat e kanalit të Butrintit. Dëshmitarë të rastit pohojnë për "Shqip" se 42-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe fillimisht ai nuk është lejuar të hipë në lundër, për shkak të tonazhit të madh të automjetit. Mësohet se Hasani do të shkonte për vizitë te vajza e martuar në fshatin Shëndëlli, 1 kilometër larg nga Butrinti. Policia ka mbërritur menjëherë në vend, pas sinjalizimit për ngjarjen. Mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje Zylyftar Kuqon, punëtorin e turnit të shërbimit të lundrës, i cili ka thënë se ka debatuar me shoferin e kamionit për të mos u ngjitur në lundër, pasi e ka parë që e ngiste me shpejtësi dhe në gjendje të dehur. Sipas tij, shoferi nuk është bindur dhe ka hipur në lundër.

Operacioni i kërkimit të automjetit është finalizuar dje në orët e para të mëngjesit. Pas disa orësh kërkimi, palombarët kanë përcaktuar se ku gjendej makina, e cila shihej e përmbysur në ujë. Por nuk jepej asnjë e dhënë për shoferin Flamur Hasani. Shpresohej që ai të mund të gjendej nën skeletin e kamionit në ujë, por edhe kjo shpresë u shua, pas operacionit më shumë se 5-orësh për nxjerrjen e makinës me anë të një vinçi dhe nën mbikëqyrjen e ekspertëve kriminalë e forcave të policisë së rendit e të kufirit. Mësohet se kërkimet për viktimën kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›