E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre aksidente, me tre të plagosur

Tre aksidente me pasojë plagosjen e tre personave kanë ndodhur dje në Peqin dhe në aksin Rrëshen-Kalimash. Burime nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se dje, në orët e paradites, në kryqëzimin e aksit rrugor Gjocaj-Peqin, një mjet me targa italiane, tip "Ford-Fiesta", me drejtues 25-vjeçarin Idajet Gryka, banues në fshatin Gjocaj, si pasojë e shpejtësisë së madhe, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. I dëmtuari është dërguar me një autoambulancë të spitalit të Peqinit drejt spitalit kirurgjikal të Elbasanit ku mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga ana e policisë në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e daljes nga rruga e mjetit. Ndërkaq, dje pasdite, dy aksidente kanë ndodhur në aksin Rrëshen-Kalimash. Në dalje të tunelit të Thirrës tre automjete me targa të huaja janë përplasur me njëra- tjetrën ku për pasojë Safet Mekiç, 40 vjeç, shtetas maqedonas është plagosur dhe po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Rrëshenit. Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur në fshatin Klos të Komunës Fan. Një kamion i tonazhit të rëndë ka aksidentuar 28-vjeçarin Nikolin Prenga, kalimtar i rastit, i cili pas frakturave si pasojë e përplasjes ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Rrëshenit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›