E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet procesi i numërimit të votave në Bushat

01/07/2009  Komisionerët ndërprenë punën për disa orë, palët akuzuan njëra-tjetrën

Dorëhiqet kreu i KZAZ-së, KQZ-ja emëron të riun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar të ndërhyjë dje për të zgjidhur situatën kritike të krijuar në KZAZ-në numër 41 në komunën e Bushatit, Qarku i Shkodrës, duke emëruar kryetarin e ri të KZAZ-së, Ylber Tahiri. Kjo ka qenë mënyra e vetme e këtij komisioni për të ushtruar autoritetin tij në këtë çështje, pasi, siç sqaroi zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli, problemi duhet të zgjidhet mes komisionerëve. “Janë vetë komisionarët që duhet të marrin vendimet dhe të vendosin nëse duhet të vazhdojnë numërimin e votave apo të mos e vazhdojnë këtë proces. Për të gjitha këto ato duhet të mbajnë procesverbalet përkatëse. Nuk e vendos KQZ-ja këtë, por është ligji, janë këto rregullat e lojës që japin direktiva të tilla”, - tha Olli gjatë një prononcimi për mediet lidhur me këtë problematikë. Më herët, në mbledhjen e mesditës, KQZ-ja diskutoi për mënyrën e ndërhyrjen në këtë VNV, duke dërguar edhe forcat e policisë atje, duke dëgjuar edhe shqetësimin e secilës palë lidhur me mosvijimin e procesit të numërimit. Por pas shumë diskutimesh dhe arsyetimit se ndërprerja e procesit të votave të kësaj ZAZ-je ishte për shkak të lodhjes së komisionerëve dhe për ndonjë shkak tjetër, KQZ-ja hoqi dorë nga vendimmarrja e tij, duke ia lënë në dorë vetë komisionarëve marrjen e situatës në dorë. Situata problematike janë vërejtur edhe në disa KZAZ të tjera, siç ka qenë ajo në Paskuqan, në KZAZ, në Vlorë, në Rrogozhinë apo dhe njësinë bashkiake nr. 7. Shumica e problemeve janë shkaktuar pikërisht në ato qarqe ku diferenca mes dy partive ka qenë shumë e vogël dhe pikërisht në përfundim të procesit të numërimit të të gjitha qendrave të votimit të zonës së administrimit zgjedhor.

Mandatet

Pas numërimit të votave fillon një tjetër proces: ai i përkthimit në mandate, proces që parashikon një afat kohor prej 48 orësh. Kjo nënkupton shtyrjen e afatit për daljen e rezultatit në mënyrë zyrtare nga KQZ-ja. Ndërkaq një kohë të konsiderueshme kërkojnë kërkesat ankimore, që sipas ecurisë së procesit duket se do të ketë të tilla. Brenda 3 ditëve nga vendimi i KQZ-së palët kanë të drejta ta ankimojnë atë në Kolegjin Zgjedhor, që gjykon dhe vendos për kërkesëpadinë brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesëpadisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›