E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Do të kontestojmë ligjërisht Shkodrën

01/07/2009  Qëndrimi i PS-së

Partia Socialiste do të kontestojë rezultatin për Qarkun Shkodrës. Një qëndrim i tillë u bë i ditur nga sekretari për Çështjet Elektorale në PS, Katsriot Islami, i cili gjatë një komunikimi me mediet vlerësoi se me parregullsitë në Shkodër po dëmtohet procesi zgjedhor. “Fatkeqësisht, dukuritë që vihen re në Shkodër po dëmtojnë rëndë procesin e zgjedhjeve, bile në disa elemente ato janë të ngjashme me ato të vitit 1996. Ka kuti që dalin 300 me 0, apo me 1 votë për Partinë Socialiste. Ka shumë votues që nuk kanë shënuar firmën dhe numrin e kartës së identitetit apo pasaportës, por thjesht kanë shënuar me kartë, me pasaportë. Të gjitha këto tregojnë qartë se pse ka qenë pjesëmarrja kaq e lartë në Shkodër”, - deklaroi Islami. Sipas tij, të gjithë vëzhguesit e PS-së dhe komisionerët janë munduar të realizojnë një proces ligjor, por forca e kartonit ka bërë që të gjitha këto manipulime të vulosen nga komisionet e numërimit të votave. “U bëj thirrje komisionerëve të ruajnë qetësinë, por njëkohësisht të zbatojnë ligjin për të realizuar një proces normal dhe për të mos dëmtuar procesin e zgjedhjeve në tërësi. Ne do ta kontestojmë ligjërisht këtë proces, por me sa duket do të jetë e vështirë, në mënyrë që kjo që po ndodh në Shkodër të mos e dëmtojë rëndë procesin zgjedhor në tërësi”, - theksoi Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›