E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i ri, mbledhja e parë në shtator

01/07/2009  Legjislativi

Fillimi i muajit shtator do të shënojë mbledhjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë që do të dalë pas certifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rezultatit të zgjedhjeve që u zhvilluan më 28 qershor. Kuvendi i ri i Republikës së Shqipërisë që do të dalë nga këto zgjedhje përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 67 i saj, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Mandati i Kuvendit, që është në fund të legjislaturës së tij, përfundon më 2 shtator të këtij viti, ditë kur ai ka zhvilluar edhe mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit 2005. Është pikërisht Kushtetuta e Shqipërisë ajo që bën përcaktimin e kohës së nisjes dhe përfundimit të mandatit të një Kuvendi. “Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”, - përcaktohet në nenin 65 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Zgjedhjet 2005

Në zgjedhjet parlamentare të 3 korrik 2005 fitues rezultoi koalicioni me në krye Partinë Demokratike. Udhëheqësi i saj, Sali Berisha, u emërua Kryeministër i Shqipërisë më 3 shtator 2005. Partia ka formuar një aleancë me grupe të tjera, duke kontrolluar 80 prej 140 vendeve në legjislaturë. Qeveria e Berishës u betua më 11 shtator 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›