E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për vijën e ujit, ekzekutohet 24-vjeçari

SHKODëR/ Plagoset edhe i ati i viktimës. Autori kapet pas 12 orë kërkimesh

Konflikti për pronat merr sërish jetë njerëzish. Një 24-vjeçar është qëlluar për vdekje nga një fqinji i tij, ndërkohë që pre e plumbave ka rënë edhe i ati, i cili është plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur ditën e Pashkës, në orët e mbrëmjes, në fshatin Nicaj, në Komunën e thellë malore të Shalës në Dukagjinë. Krimi ka ndodhur pas një grindjeje të çastit, për një vijë uji, që vë në punë mullirin e fshatit. Ndërkohë që autori i ngjarjes, një 17-vjeçar nga ky fshat, është arrestuar nga Policia e Shkodrës, rreth 12 orë pas ngjarjes. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se konflikti mes fqinjëve ka nisur fillimisht me sharje dhe fyerje, ku secila palë në konflikt ka pretenduar pronësi mbi një vijë uji që kalonte përmes fshatit. Fjalët ia kanë lënë vendin përplasjes fizike, e cila ka degjeneruar në përdorim të armës së zjarrit. Më pas Mirash Gjon Pjetri, 17 vjeç, ka qëlluar në drejtim të Ndue dhe Zek Tonaj, babë e birë. Për pasojë 24-vjeçari Zek Tonaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa babai i tij, Ndue, është plagosur rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, banorët e zonës kanë dërguar me shpejtësi të plagosurin në spitalin rajonal të Shkodrës. Por për shkak të terrenit të thyer malor dhe largësisë nga spitali, të plagosurit i është dashur të udhëtojë rreth pesë orë me makinë. Ndërkohë autori i ngjarjes, duke përfituar nga largësia e madhe, terreni i thyer dhe errësira, ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Forca të shumta policore kanë nisur një aksion të gjerë, duke krehur gjithë zonën, ku dyshohej se fshihej vrasësi. Pas rreth 12 orëve në terren, agjentët e policisë kanë lokalizuar vendndodhjen e adoleshentit, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Forca të shumta policie kanë rrethuar banesën ku qëndronte i fshehur i kërkuari. Autori i vrasjes i është dorëzuar policisë pa rezistencë, ndërkohë që uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën automatik me të cilën 17-vjeçari ka kryer krimin. Ndërkohë vija e ujit, që u bë shkak i konfliktit, rrjedh nga burimet malore dhe përdoret nga banorët e zonës për të vënë në punë mullirin e grurit. Por mungesa e theksuar e ujit ka bërë që konfliktet për vijën e ujit të jenë të shpeshta në zonat malore, duke u shndërruar jo pak herë në burim përplasjesh me armë zjarri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›