Bllokohet skafi që tentoi trafikimin e 1 tonë marijuanë
Autoritetet policore greke dhe italiane shprehin falënderimet për bashkëpunimin me policinë shqiptare
Polica shqiptare, në bashkëpunim me homologët grekë e italianë, ka parandaluar trafikimin e rreth 1 tonë mariujanë, ndërsa, mësohet ët jetë bllokuar skafi dhe të ndalohet drejtuesi i tij.
Burime zyrtare të Policisë së Shtetit, bënë të ditur dje, se si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet policisë shqiptare me autoritet policore italiane dhe greke është bërë e mundur goditja e një rasti trafikimi, si dhe sekuestrimi në Greqi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike dhe i një skafi me gjatësi rreth 12 metër.
Të njëjta burime, saktësuan se rreth orës 22.00 të mbrëmjes të së shtunës, nga Qendra Operacioniale Ndërinstitucionale Detare është konstatuar një mjet lundrues teksa tentonte të afrohej në brigjet shqiptare duke u futur pastaj në Gjirin e Bunecit.
Menjëherë janë informuar strukturat vendore të Policisë Kufitare, të cilat kanë organizuar punën për kapjen e mjetit, një mjet lundrues me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili.
Mjetet lundruese të policisë Kufitare dhe Migracionit janë vënë në ndjekje të tij, ndërkohë nga strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë menjëherë në dijeni autoritetet policore Italiane dhe Greke, mbi këtë mjet lundrues.
Si rezultat i ndjekjes nga mjetet lundruese të Policisë Kufitare, mjeti lundrues ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes së tij.
Bazuar në informacionet e dhëna nga Policia Shqiptare në ndjekje të këtij mjeti lundrues janë vënë dhe mjetet e Guardia di Finanza, si dhe avionë të Frontex.
Në sajë të ndjekjes së vazhdueshme, mjeti lundrues është drejtuar drejt brigjeve greke. Autoritet policore Greke në sajë të informacionit të marrë nga Policia Shqiptare kishin marrë masa për kapjen e tij.
Falë këtij bashkëpunimi u bë e mundur kapja e këtij mjeti lundrues në afërsi të ishullit të Qefaloniasë në Greqi, si dhe arrestimi i pronarit grek të skafit, si dhe sekuestrimi i një sasie prej rreth 1 ton marijuanë.
Autoritetet policore greke kanë shprehur falënderimet e tyre për Policinë Shqiptare, për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit, duke bërë të mundur kështu goditjen e këtij rasti trafiku.