Vdekja mister e binjakëve, babai: Shteti ta zbardhë!
Nga Fllaka, Oerd UlqiniFamilja Vajdulla nuk akuzon askënd për vdekjen e dy foshnjave binjake. Në atë shtëpi të vogël dhe të varfër, ku dhimbja është kthyer në forcë, kryefamiljari Genti Vajdulla shprehet se "ato janë punët e Zotit!". Ato fjalë thotë dhe gjyshja e binjakëve të ndjerë Selvije Vajdulla. Por përtej kësaj force të madhe shpirtërore, e cila kapërcen dhimbjen e jashtëzakonshme, familjarët kërkojnë nga shteti të dinë të vërtetën mbi këtë vdekje. "Vdekja ishte e shkruar nga Zoti, por ne të paktën kërkojmë nga shteti të mësojmë vetëm të vërtetën. Nuk fajësojmë askënd, as vaksinën, as mjekët, as infermierët, por duam zbardhjen e plotë të ngjarjes", shprehet mes lotëve gjyshe Selvija. Për këtë grua që jeta e ka bërë të fortë si burrë, kjo është një tragjedi e përsëritur. Afro 35 vjet më parë Selvija ka humbur një vajzë pesë muajshe, e cila sipas rrëfimit të saj vuante nga sëmundja e Tokës (epilepsia). Duke iu referuar fjalëve të gjyshes edhe dy binjakët mund të kenë pasur shenja të kësaj sëmundjeje, pasi ajo mund të jetë e trashëguar. Madje ajo shton se "kjo sëmundje mund të ketë qenë e fshehur tek binjakët dhe mjekët nuk kanë arritur ta zbulojnë dot". Ndonëse ky është një dyshim i gjyshes është thuajse e pamundur që kriza e epilepsisë të ketë kapur për vdekje njëkohësisht dy binjakët. Rrëfimi rrënqethës i familjarëve për "Panorama" zbardh edhe "darkën e fundit" të dy binjakëve. "Gruaja u dha atyre qumësht lope, pasi ne nuk kemi lekë për të blerë qumështin në farmaci. Këtë ushqim gruaja e përzieu me biskota për bebet dhe ia dha. Pak orë më pas kur i kontrolluam, fëmijëve u qe ftohur hunda dhe fytyra, ndërkohë që në gojë kishin shkumë të bardhë. E kuptuam se kishin vdekur. Ishin momente tmerri që nuk dua t'i kujtoj më. Gruas i ra të fikët", tregon me dhimbje babai, Genti Vajdulla. Sipas specialistëve qumështi i bagëtive nuk rekomandohet për fëmijë kaq të mitur. Për një fëmijë pesë muajsh nëse nëna nuk ka gji, lipset të përdoret detyrimisht vetëm qumësht farmacie, por për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike ky lloj qumështi nuk blihej prej javësh në atë shtëpi. Genti Vajdulla deklaron se "me qumësht farmacie i kemi mbajtur binjakët deri në fillim të nëntorit, më pas qe e pamundur dhe u kemi dhënë atyre qumësht bagëtie". Familjarët tregojnë se në fillim të nëntorit dy binjakët e vdekur (atëherë vetëm 3 muajsh e gjysmë) janë shtruar në spitalin pediatrik të Durrësit. Dy bashkëshortët Mirjeta dhe Genti Vajdulla kanë qëndruar së bashku për pesë-gjashtë ditë në spital, duke shoqëruar kështu dy fëmijët e tyre, që po kuroheshin me medikamente dhe serume të ndryshme. "Fëmijët kishin temperaturë të lartë e kollë. U mjekuan në spital shumë mirë dhe pas një jave dolën plotësisht të shëruar. Që nga ai moment ne ua ndërpremë qumështin artificial, pasi nuk kishim më para dhe burrë e grua vendosëm që t'i ushqenim me qumësht të freskët lope", tha Genti. Familja Vajdulla dhe e tërë Fllaka kanë përcjellë për në banesën e fundit dy binjakët pesë muajsh. Varrimi është kryer vetëm pas përfundimit të autopsive në morgun e Durrësit, të cilat priten të zbardhin edhe enigmën e vdekjeve të parakohshme. Arkivolët e vegjët, janë varrosur në varrezat e fshatit Shën-Vlash, aty ku prehen edhe pjesëtarë të tjerë të fisit Vajdulla. "Ishin të vegjël, por shërbimet ua kemi bërë sikur të ishin të rritura. I kemi varrosur ngjitur me njëri tjetrin, në dy varre të ndryshme, pikërisht aty ku prehet burri dhe vajza ime", thotë për "Panorama" gjyshja 60-vjeçare, Selvije Vajdulla. Shteti s'u dha 5 mijë lekëshinMotër dhe vëlla të cilët erdhën në këtë jetë më 13 korrik të këtij viti, kanë vdekur pa marrë akoma shpërbimin për lindjen. "Atyre u takonte nga 5 mijë lekë të reja shpërblim lindjeje për secilin, por këto para nuk i kemi marrë akoma në dorë. Na kanë mashtruar vazhdimisht, duke na thënë se do na i sjellin paratë në shtëpi", tha gjyshe Selvija. Duket se burokracia u ka mohuar këtë shpërblim simbolik që shteti u jep çifteve që sjellin në jetë fëmijë. Ceremonia e varrimi i dy foshnjave ka rrënuar akoma më tej ekonomikisht këtë familje ku dy prindërit janë pa punë dhe kanë një fëmijë 2 vjeç e gjysmë. Këta të fundit kërkojnë ndihmën e shtetit, duke u shprehur se "jemi në ditë të hallit". Kryefamiljari Genti Vajdulla nuk ka shtëpi të tijën. Banesa ku ai jeton prej 30 metrash katrorë i është lënë në përdorim nga kunati. "Jetoj duke mbledhur hekur ose duke gjuajtur për peshk. Si unë ashtu edhe gruaja jemi pa punë, ndaj dua që Komuna dhe shteti t'i hedhin pak sytë nga ne", tha Genti Vajdulla. E vetmja e ardhur ekonomike e familjes është pensioni i gjyshe Selvies.