Bllokojnë bashkëpunimin me EULEX-in
Drejtuesit e strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës pas takimit që kanë mbajtur të martën në orët e mbrëmjes kanë shpallur bllokim të çfarëdo bashkëpunimi me misionin EULEX. Një nga arsyet e këtij vendimi është fakti se EULEX-i po i përkrah patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës, e që për popullatën serbe në veri konsiderohen si provokim.
Burime të Kosovapressit nga veriu tregojnë se në këtë takim kanë marrë pjesë kryeshefi i Qarkut të Mitrovivcës, Radenko Nedelkoviq, kryetari paralel i veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, si dhe kryetarët e komunave Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Bëhet e ditur se ne takim ka marrë pjesë edhe kryeshefi i MUP-it të Serbisë për veriun e Kosovës, Gjorgje Dragoviq.
Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës marrin vendime kundër bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe të Kosovës.
Madje këto struktura ditë më parë kanë kërcënuar edhe të gjithë ata serbë që tentojnë të integrohen dhe bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës.