E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përparime të vogla

Raundi i dytë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfunduar me përparime të vogla. Prishtina duket se do të pranojë nga Serbia kopjet e dokumentacionit civil, e jo origjinalin. Kështu ka ndodhur edhe kur janë ndarë Kroacia dhe Sllovenia nga federata jugosllave. Në takimin e djeshëm ka hyrë edhe baronesha Catherine Ashton, e cila ka inkurajuar palët të gjejnë zgjidhje për çështjet praktike. Nga Valmir Klaiqi më 29 mars 2011 në ora 09:50

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë përfunduan raundin e dytë të dialogut në Bruksel, në atmosferë konstruktive, por me përparime të vogla.

Gjatë takimit që ka zgjatur rreth shtatë orë, i udhëhequr nga diplomati Robert Cooper, është shfaqur edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Ajo nuk ka qëndruar gjatë me palët, por i ka inkurajuar të angazhohen në mënyrë konstruktive për gjetjen e zgjidhjeve praktike për problemet që rëndojnë jetën e qytetarëve në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri.
“Ishte një moment i rëndësishëm dhe një kënaqësi e veçantë vizita e baroneshës Catherine Ashton, gjatë procesit të dialogut në orët e pasdites”, ka thënë ajo, gjatë një prononcimi për RTK’në.

Zëvendëskryeministrja tha se ka shfrytëzuar rastin që të përcjellë tek Ashton kërkesat e kosovarëve.

“Ky ishte një rast për mua që ta falënderoj për ndërmjetësimin që po e bën BE’ja si dhe të kërkoj nga baronesha Ashton atë që po e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Pra, qartësimin e asaj se çka përfitojnë qytetarët dhe Kosova nga ky dialog. Ajo më siguroi që ardhmëria e Kosovës është në Bashkimin Evropian në mënyrë të qartë dhe të sigurt”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja bëri të ditur se Ashton ka theksuar se dialogu u shërben edhe interesave të qytetarëve në planin ekonomiko-social si dhe ka premtuar se do ta vizitojë Kosovën.

“Ajo edhe një herë shprehu përkrahjen dhe simpatitë e saj për të dyja shtetet që kanë gjetur forcën të ulen në një dialog teknik duke marrë parasysh një histori të hidhur që kemi, veçmas ne Kosova me Serbinë, e cila ka bërë një gjenocid. Pra, unë mendoj se ky obligim ndërkombëtar që e morëm ne si shtet i ri nuk ka qenë i lehtë, ka qenë shumë i vështirë. Edhe për mua personalisht ka qenë i vështirë si mision. Por, shtetet e reja kanë obligime të reja, edhe ndërkombëtare, edhe vendore dhe ne po iu përgjigjemi detyrave shtetërore”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

Në raundin e dytë, palët kanë biseduar për telekomunikacionin dhe energjinë. Shefja e delegacionit kosovar tha se përparime ka pasur lidhur me temat që janë hapur në takimin e parë, sidomos për çështjen e regjistrit civil, ndërsa ka mbetur edhe pak të adresohet çështja e dokumentacionit kadastral.
Pjesë e bisedimeve ka qenë edhe çështja e lëvizjes së lirë, përkatësisht njohja e dokumenteve, pasaportave, diplomave si dhe tabelat e regjistrimit të veturave nga ana e Serbisë.

Delegacioni serb ka insistuar që Kosovës t’ia kthejë vetëm kopjet e dokumentacionit kadastral dhe regjistrit civil. Por delegacioni i Kosovës nuk është pajtuar me këtë. Prishtina kërkon dokumentet origjinale të kadastrit, ndërkaq mund të pajtohet që të marrë vetëm kopjet e regjistrit civil.

Në takim është konstatuar se gjatë procesit të suksesionit të ish-republikave jugosllave, Serbia u ka dhënë vetëm kopjet e regjistrit civil republikave të tjera. Kjo mund të ndodhë edhe me Kosovën.

“Në këtë kontekst ne po e shohim se mbase edhe kopje mund t’i marrim, sepse nuk na prish punë. Por në çështjet e tjera sigurisht jemi tepër të vendosur që zgjidhjet që do të arrihen në bisedimet teknike të jenë në interesin nacional të Kosovës dhe në asnjë rast të mos prekin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka deklaruar se ka pasur përparime të vogla edhe rreth furnizimit të serbëve me energji elektrike.

Delegacioni i Kosovës

Në raundin e dytë të bisedimeve në Bruksel kanë marrë pjesë edhe Ali Hamiti, Shef i Zyrës për Rregullatorin e Energjisë, Fadil Ismajli, Shef i KOST’it, Arben Gjuka, drejtor i KEK’ut, si dhe Ekrem Hoxha, Shef i ART’së.

Përveç zëvendëskryeministres Edita Tahiri, në takim kanë marrë pjesë edhe këshilltari i saj, Dren Zeka, si dhe Lirim Greiçevci, këshilltar i Kryeministrit Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›