Raporti i Global’it
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj kanë injoruar krimin e organizuar në nivelet më të larta të demokracisë së re në Kosovë. Kështu e fillon artikullin e gjatë trepjesësh, me titull “Mafia e Kosovës”, web faqja GlobalPost, me seli në Boston të SHBA-ve. Boshti i tërë artikullit është UÇK-ja dhe ish komandantët e saj. Pjesa e parë e shkrimit fokusohet tek kryeministri Hashim Thaçi dhe lidhjet e tij me SHBA-të. Sipas artikullit, Thaçi është mik i liderëve botërorë, por edhe person i dyshuar për krime.
Pasi shpjegon pak historikun e Kosovës të pas vitit 2000, me hyrjen e trupave të NATO-s në vend, GlobalPost, duke u bazuar në raporte të shërbimeve informative të KFOR-it dhe UNMIK-ut, të cilat thotë se i posedon, e që flasin mbi krimin e organizuar në Kosovë, Thaçin, të cilit shpesh i referohet si ish shef politik i UÇK-së, e cilëson si personi që ka “ndërtuar ndikimin e tij mbi organizatat lokale kriminale, të cilat kontrollojnë pjesë të mëdha të Kosovës”.
Thaçi dhe SHBA
Pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi është Kryeministër i Kosovës dhe, sipas web faqes, ndonëse SHBA-të kanë dijeni deri në detaje për dyshimet që ekzistojnë rreth tij, pjesa dërmuese e të cilave ka të bëjnë me periudhën e tij në ish UÇK, ai ka vazhduar të mbetet një aleat i vazhdueshëm për administratat amerikane.
Më tej, në artikull përmenden lidhjet e Thaçit me zyrtarë të lartë amerikanë, si me ish Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, pritjen që atij i ka bërë në Zyrën Ovale ish Presidenti George W. Bush, pritjen që në Shtëpinë e Bardhë i ka bërë atij Zv.Presidenti aktual Joseph Biden apo vizitën e fundit që Sekretarja Amerikane e Shtetit ia ka bërë Kosovës. Madje, për të ilustruar këtë miqësi të fortë të Thaçit me SHBA-të, citohet Sekretarja Clinton e cila, gjatë vizitës në Kosovë, i ka thënë Thaçit: "Dua ta dini, kryeministër, se ashtu siç kemi qenë me ju në rrugën e vështirë drejt pavarësisë, do të qëndrojmë me ju. Ne jemi partnerët tuaj, jemi miqtë tuaj e jemi të përkushtuar shumë për të ardhmen tuaj”.
Duke pretenduar se për tre muaj GlobalPost ka biseduar me politikanë, ish pjesëtarë të UÇK-së, diplomatë, ish ushtarë të NATO-s, analistë politikë dhe zyrtarë, thuhet se gazeta ka gjetur se pavarësisht kriminalitetit në mesin e klasës politike, kjo është injoruar nga SHBA-të, NATO dhe Kombet e Bashkuara, për 11 vjet me radhë. Kjo, sipas gazetës, ka ndodhur për shkak se këto organizata kanë dashur ta mbajnë paqen ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe dhe vetë Serbisë, gjë që ishte prioritet dhe shqetësim mbi të gjitha shqetësimet e tjera, si trafikimi me organe njerëzore.
GP shpjegon se vetë Thaçi nuk ka qenë i akuzuar në një çështje penale, por pretendimet në rritje ndaj tij tregojnë se SHBA dhe NATO e mbështetën atë me vetëdije, ashtu si dhe udhëheqësit tjerë të Kosovës, të cilët ishin të përfshirë qëllimisht në krime serioze që nga fillimi i konfliktit në Kosovë. "Amerikanët dhe ata që ishin në krye, kanë pasur qasje në këtë dhe të tjera dokumente", tha një diplomat perëndimor, duke iu referuar raportit të një shërbimi të fshehtë, në çdo faqe të të cilit është shënuar se është për shikim nga SHBA dhe NATO.
Katër burime të tjera diplomatike, ushtarake dhe të zbulimit konfirmuan se dokumentet janë parë nga zyrtarët amerikanë. Më tej gazeta përmend edhe Florin Krasniqin, një biznesmen nga Brooklyni, cili dërgoi shuma të mëdha parash për UÇK-në, e që në artikull shkruan se këtë aktivitet e bëri me ndihmën e SHBA-ve. Sipas artikullit, ai është ankuar personalisht tek zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit për korrupsion dhe krim në nivele të larta të qeverisjes në Kosovë por, sipas tij, si zakonisht, kjo i është hedhur poshtë.
“Ju mund të jeni i korruptuar si dreqi”, ka thënë Krasniqi, “por për sa kohë që e mbani stabilitetin, ju jeni mik”. Ai është bërë tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se Thaçin e ka quajtur “koka e mafias në Kosovë”.
Duke cituar Krasniqin, në artikull thuhet se Thaçi është një i telekomanduar, figurë e komanduar, i cili flet mjaftueshëm anglisht. Ai së pari u bë i afërt me zyrtarët amerikanë gjatë negociatave të paqes në Francë, në mars 1999, para shpërthimit të luftës. Duke iu përgjigjur akuzave për trafikim organesh në muajin dhjetor, gazeta citon zëdhënësin e Departamentit Amerikan të Shtetit i cili, nëpërmjet një deklarate për media ka thënë se “secila e dhënë dhe burim në këtë raport (raporti i Dick Martyt, v.j.) duhet të ndahet me autoritetet kompetente, që të bëhet një hetim i plotë dhe i duhur”.
Lidhja me Prizrenin
GlobalPost më tej shkruan se ka siguruar një raport nga Njësia për Luftën Kundër Krimit, tashmë e shpërbërë, por që ishte në kuadër të misionit të OKB-së në Kosovë, të datës 20 maj 2008.
Raporti përshkruan se si, menjëherë pas luftës, ushtarët gjermanë të NATO-s gjetën dhe liruan 14 njerëz, të cilët ishin arrestuar në mënyrë joligjore nga UÇK-ja në këtë qytet. Ata, gjithashtu, gjetën një të moshuar shqiptar, i cili kishte ende pranga në duar. Ai "ka treguar shenja të rrahjeve që i janë bërë", shkruan në raport.
Në mesin e të dyshuarve në dokument përmendet edhe Kadri Veseli, i cili është konsideruar nga shumë njerëz në Kosovë si aleati më i ngushtë i Thaçit. Veseli ishte shef i SHIK-ut, shërbimit të zbulimit të UÇK-së, një organizatë që vazhdoi të ekzistojë dhe të veprojë pa sanksionime ligjore deri në vitin 2008, e ndoshta ekziston edhe tash. Përveç Veselit, të dyshuar të tjerë në raport janë përmendur edhe komandantë të tjerë të lartë të UÇK-së dhe aleatë të Thaçit, duke përfshirë edhe Azem Sylën, Sabit Gecin dhe Fatmir Limajn. Sipas GP, e cila mbështetet në këtë raport të UNMIK-ut, ata asnjëherë nuk kanë qenë të akuzuar lidhur me rastin në Prizren.
Azem Syla u arrestua nga policia në fund të vitit 2009 dhe është marrë në pyetje në lidhje me dyshimet nëse ai ishte i përfshirë në dhënien urdhër të SHIK-ut për të vrarë një kundërshtar politik. Më tej në artikull përmendet edhe Fatmir Limaj, si person që është duke u hetuar për korrupsion nga EULEX-i. Sa për Sabit Gecin, artikulli rikujton se ai aktualisht është duke u gjykuar, i akuzuar për krime lufte. Ai ngarkohet për një burg të fshehtë në Kukës, ku dyshohet se ka mbajtur dhe torturuar persona. Artikulli citon edhe një person, i cili në kushte anonimiteti të plotë ka deklaruar se edhe Thaçin e ka parë atje. Por, prokurorët e EULEX-it nuk kanë pranuar të flasin për rastin. Në artikull aludohet se ky mosinteresim për të hetuar rastin, ndoshta vjen edhe nga SHBA-të.
Ndikimi amerikan
Sipas artikullit, i cili citon zyrtarë të OKB-së, një nga shembujt më frustrues të fuqisë amerikane në Prishtinë ishte ndikimi amerikan i ushtruar mbi zyrën e prokurorit, gjoja të pavarur, të OKB-së në Kosovë.
Zyrtari i OKB-së në Kosovë, i cili prezantohet si person që ka punuar në ato pozita dhe që di shumë për raste të tilla, citohet të ketë thënë se politikanët e lartë të Kosovës janë hetuar nëse ishin të përfshirë në krimin e organizuar, por amerikanët kanë penguar kërkimet në shtëpitë e të dyshuarve. Madje, ky ish zyrtar i OKB-së ka deklaruar se nga këto telefonata ishin të frustruar thellë edhe prokurorët ndërkombëtarë.
Kështu, më 14 qershor 2008, zyrtari më i lartë i OKB-së në Kosovë, Joachim Ruecker, kishte lëshuar një vendim ekzekutiv për suspendimin me burgim të një ish-komandanti të UÇK-së, Sami Lushtaku, i cili ishte dënuar me 11 muaj burg. Lushtaku ishte kryetar i Skenderajt, ku mbështetja për UÇK-në është e fortë. Nuk dihet nëse zyrtarët amerikanë kanë ndikuar mbi Rueckerin për vendim ligjor, por një ish-zyrtar i lartë i NATO-s në Kosovë tha se zyrtarët e CIA-s në Kosovë ishin përpjekur të parandalonin ushtarë të NATO-s që të arrestonin Lushtakun, para ndjekjes penale.
Një diplomat perëndimor në Kosovë konfirmoi për GlobalPost se EULEX ka qenë duke hetuar Thaçin në heshtje për disa kohë. Në janar, EULEX njoftoi se prokurorët e vet kishin hapur një hetim preliminar në pretendimet për trafikim të organeve, duke u bazuar në raportin e Dick Martyt. Ka shenja që miqtë e Thaçit në Washington janë duke u zënë gjithnjë e më ngushtë nga vorbullën e korrupsionit dhe krimit që e rrethon atë dhe të tjerë ish-komandantë të UÇK-së.
Kur Thaçi vizitoi Zv.Presidentin amerikan Biden në korrik, ata buzëqeshën në publik, por një person i afërt me takimin i ka thënë GP se Thaçi u pajtua me Bidenin që ka pasur një problem dhe tha se do të përpiqet më shumë për të ndaluar korrupsionin dhe krimin në Qeverinë e Kosovës.
“Nëse Thaçi dëshiron të vizitojë SHBA-të përsëri nuk do të mund të marrë ndonjë vizë tjetër, pos vizës diplomatike, që i jep atij imunitet”, i ka thënë një burim qeveritar GlobalPostit. Sipas burimit, Thaçi u ka thënë njerëzve të tij të afërt se tash ai është i shqetësuar të udhëtojë jashtë për shkak të frikës se mund të arrestohet në ndonjë shtet të huaj.
SHIK
Pjesa e dytë e artikullit ka të bëjë me SHIK-un. Sipas GP, menjëherë pas luftës së vitit 1999, agjencia famëkeqe e inteligjencës u bë një entitet jashtëligjor që fillimisht ishte nën komandën e lëvizjes guerile fitimtare UÇK, që kishte përkrahjen e SHBA-së. Më pas u udhëhoq nga PDK-ja, thonë burime amerikane dhe kosovare.
“Sot SHIK-u nuk ka zyra dhe zyrtarisht nuk ekziston, sipas njeriut që e ka udhëhequr për nëntë vjet. Por, burimet e lidhura me SHIK-un thonë se ai mbetet aktiv për të mbajtur status-quon nëpërmjet frikësimit dhe shantazhit”, shkruan gazetari Math McAllaster. Vetë udhëheqësi i SHIK thotë se ka pasur mbështetjen e SHBA-ve, diçka që konfirmohet edhe nga një ish-pjesëtar i SHIK-ut, një ish-mbledhës i fondeve për luftën, një diplomat ndërkombëtar dhe një analist politik.
GlobalPost ka intervistuar Nazim Bllacën, i cili thotë se ka vrarë për SHIK-un. Po ashtu, janë intervistuar edhe Adem Salihaj e Agim Veliu, të cilët kanë thënë se SHIK-u ka bërë atentate ndaj tyre. Po ashtu, janë intervistuar edhe Drita Kllokoqi, burri i së cilës u vra nga Nazim Bllaca, si dhe vetë kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli.
Ky i fundit e pranon ndihmën e SHBA-ve dhe në mënyrë indirekte pranon se ka marrë pjesë në secilin manifestim të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve për nder të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Amerikës.
Shumica e njerëzve që u intervistuan nga GlobalPost përkitazi me SHIK-un, aktivitetin e tij dhe lidhjet me SHBA-të, kanë folur në kushte anonimiteti, sepse kanë frikë për jetën e tyre.
“U sponsorua nga CIA”, tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në Kosovë, i cili beson se SHIK-u u kthye në një organizatë të krimit të organizuar. “Në fillim ishin nja 16 persona të përzgjedhur mirë dhe të trajnuar për të bërë gjëra të mira…, por u shndërrua në organizatë që kontrollon krimin dhe politikën e Kosovës”, thotë zyrtari amerikan.
Sipas tij, SHIK-u ende mbështetet nga SHBA-të, madje asnjëherë më shumë.
Një ish-pjesëtar i SHIK-ut që nuk jeton më në Kosovë thotë se anëtarët e tij janë trajnuar në SHBA dhe në Gjermani, nga zyrtarë amerikanë të inteligjencës. Më tej në artikull jepet dhe historia e Nazim Bllacës, si dhe deklarimi i tij se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe në të njëjtën kohë ka zbatuar urdhra për të kryer vrasje dhe tortura. Aty përmendet edhe EULEX-i, i cili është duke u marrë me çështjen.
Në artikull tregohet se Bllaca u ka thënë prokurorëve se një ish-zyrtar i lartë i UÇK-së - aleat i ngushtë i Thaçit, Azem Syla – e ka urdhëruar atë të kryejë vrasjet. Prokurorët e EULEX-it nuk pranojnë të tregojnë nëse kanë planifikuar të paditin persona të tjerë lidhur me vrasjet. "Qëllimi im është të hedh dritë mbi të gjitha vrasjet në Kosovë", citohet të ketë thënë Bllaca.
Kadri Veseli ka mohuar se ai apo SHIK-u ka qenë ndonjëherë të përfshirë në vrasje ose ndonjë krim. "Nazim Bllaca kurrë nuk ishte pjesë e SHIK-ut", tha Veseli, gjatë një interviste për më shumë se dy orë në një restorant në Prishtinë. "Ne kurrë nuk ishim në kontakt me të".
As Veseli, as Thaçi nuk janë të akuzuar. Duke treguar se Ambasadori Amerikan Christopher Dell dhe zyrtarët e Departamentit Amerikan i kanë refuzuar disa herë kërkesat e GlobalPost për intervistë, artikulli vazhdon duke u bazuar në burime anonime sipas të cilave, SHIK-u u sponsorizua nga CIA.
Një ish-pjesëtar i SHIK-ut, i cili nuk jeton më në Kosovë, konfirmoi se ishte trajnuar në SHBA dhe Gjermani, nga zyrtarët e zbulimit amerikan. Ndërkohë, Florin Krasniqi citohet të ketë deklaruar se Kadri Veseli kishte lidhje të drejtpërdrejta me ata të inteligjencës amerikane dhe angleze.
Duke cituar një raport të fshehtë të BND (Shërbimi Gjerman i Zbulimit), të vitit 2005, në artikull thuhet se në atë kohë, SHIK-u merrej kryesisht me aktivitete spiunimi, frikësimi dhe eliminimi fizik të forcave demokratike. Si një nga rastet përmendet ai i vrasjes së Ibush Kllokoqit, më 1999, djali i të cilit citohet të ketë thënë se Nazim Bllaca ishte urdhëruar t’ia vrasë babanë. "Bllaca ishte urdhëruar për të bërë këtë", tha Buki Kllokoqi. "Personat që urdhëruan atë janë kriminelët e vërtetë në këtë rast. Ai është vetëm një kukull", është shprehur 30 vjeçari.
Sipas tij, i ati nuk ishte bashkëpunëtor i regjimit serb, sepse punën e kishte lënë në vitin 1991. GP shkruan se Kllokoqi ishte një zyrtar i lartë i shërbimit të vjetër jugosllav të inteligjencës.
Në artikullin e GlobalPost pretendohet, po ashtu, se janë gjetur lidhje ndërmjet zyrtarëve qeveritarë kosovarë dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
(Artikull i marrë me shkurtime nga GlobalPost. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë së Gazetës Express)