Bllokon depon e ujit të fshatit: Është në tokën time
Banorët e fshatit Shegjëz të Komunës Lumas në Rrethin e Beratit kanë mbetur prej një jave pa ujë të pijshëm, pasi një banor i fshatit ka bllokuar depon e ujit, me pretendimin se ajo ndodhet në pronën e tij. Fatos Leshi, kryeplaku i fshatit Shegjëz mësohet se ka kërkuar dje ndihmën e policisë, pasi banorët nuk kanë ujë në banesat e tyre që prej një jave. Kryeplaku i fshatit ka pohuar dje në Komisariatin e Policisë se banori Sadush Qevani ka bllokuar depon e ujit të pijshëm, duke mos lejuar furnizimin e rreth 800 banorëve të fshatit me ujë të pijshëm. Kryetari i fshatit ka deklaruar se pasi e kishte ngritur problemin pranë komunës dhe nuk kishte gjetur asnjë lloj zgjidhjeje, është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë. Burime të policisë së Beratit bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, ekspertët e policisë kanë udhëtuar drejt fshatit Shegjëz ku kanë marrë në pyetje Sadush Qevanin. Ky i fundit ka pohuar se depoja e ujit të pijshëm që furnizon banorët e fshatit ndodhet në tokën e tij dhe pasi ishte kthyer nga emigrimi, ai kishte vërejtur dëmtimin e të mbjellave nga riparimet që ishin kryer në depon e ujit. Por, me gjithë pretendimet e Qevanit ekspertët e policisë deklaruan se po hetojnë për këtë veprim, që ka lënë pa ujë të pijshëm rreth 800 banorë të fshatit Sheqëz.
#