E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamiljotët: Duam shtet dhe ligj, jo vetëm për të prishur

Tubim në qytezë, pas shembjes së 260 objekteve pa leje

Banorët e Ksamilit janë zgjuar si nga një ëndërr e keqe pas prishjes së 260 ndërtimeve nga operacioni “Bojaxhi”. çdo ditë e re që vjen duket se ndihmon që ata të ndërgjegjësohen se kështu duhej sjellë me ndërtimet e tyre, të ngritura pa leje e të pamarra në mbrojtje nga ligji i legalizimeve. Me këtë kthjelltësi në mendim dhe me kërkesa për rikuperim të jetës sipas ligjeve në fuqi, shoqata “Ksamili për ksamiljotët” ka organizuar dje paradite një tubim në sheshin “Kaonia” të qytezës. “Na takon ne, intelektualëve të Ksamilit, që t’i tërheqim njerëzit për të dalë nga gjendja e trishtimit, në mënyrë që humbja e ndërtimeve të mos kthehet në humbje besimi se ky vend nuk mund të bëhet”, tha në çelje të tubimit Astrit Oruçi, ish-kryetar i kësaj komune dhe një prej organizatorëve të tubimit. Një apel politikës dhe shtetit i është bërë përmes tubimit të djeshëm, për t’u dhënë të drejtat dhe hapësirat ligjore banorëve të kësaj komune.

Ashtu siç veproi ligji për të prishur, të veprojë edhe për të na bërë pronarë të tokës dhe të na jepet leje të ndërtojmë, ka qenë mesazhi kryesor i tubimit. Pesë kanë qenë kërkesat e parashtruara në peticionin e miratuar në tubim, që u paraqit nga Ahmet Kola, kryetar i shoqatës “Ksamili për ksamiljotët”. Para së gjithash, u kërkua të zbatohet edhe për ksamiljotët ligji numër 10208, sipas të cilit të bëhet kalimi në pronësi pa shpërblim i tokës bujqësore. Ksamili është e vetmja komunë ku ende nuk janë pronësuar me tokë as ata që kanë qenë punonjës të ish-NB-së së para viteve ‘90. Ata kanë kërkuar të përshpejtohet procesi i legalizimit të ndërtimeve nga ALUIZNI, që njerëzve t’u dalë frika dhe të fitojnë sigurinë e pronës së ligjëruar si e tyrja. Deri sa kjo të bëhet, ksamiljotët kërkojnë që Inspektorati i Ndërtimit të mos ndërhyjë mbi objektet në proces legalizimi. Një ndër pikat më të forta të peticionit ka qenë kërkesa për t’i shkuar deri në fund transparencës lidhur me kthimin e pronave “pseudopronarëve, që me dokumente false kanë arritur të hipotekojnë qindra hektarë përgjatë bregdetit të Ksamilit”. Përshpejtimi i ritmit të punimeve në rrugën nacionale Kanali i çukës-Butrint ka bërë vend gjithashtu në kërkesat e ksamiljotëve dje, pasi, me prishjet në brendësi të qytezës dhe me gjendjen e kantierit që ka marrë rruga, vërejnë se vështirë të afrohet dikush me pushime gjatë këtij sezoni turistik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›