E Diel, 1 Nëntor 2026

Man. Siti, 243 milionë euro në dispozicion për merkaton

Dyqind milionë sterlina për Mançester Sitin, ose e thënë ndryshe, diçka më shumë se 243 milionë euro. Kjo është shifra që sheiku Mansur Bin Zahid al Nahjan do të vendosë në dispozicion të trajnerit Mark Hjuxhs, për blerjen e lojtarëve të rinj. Një pjesë e këtyre parave do të shpenzohen në merkaton e janarit, ku synim është afrimi i një sulmuesi që e njeh mirë portën, një mbrojtësi qendre dhe një mesfushori.

David Vija - Sipas të përditshmeve britanike, "Daily Mirror" dhe "Daily Sport", drejtuesit e Sitit i kanë përcaktuar tre emrat për të cilët do të futen në merkato. Bëhet fjalë për David Vijën: Valencia pretendon 40 milionë sterlina për sulmuesin (afro 47 milionë euro). Në listën e blerjeve janë edhe lojtari i Çelsit, Uejn Brixh (që pëlqehet nga Hjuxhs, por nuk duket i interesuar të largohet nga Londra) dhe Lasana Diarra i Portsmuth, i cili mund të afrohet për 16 milionë sterlina (diçka më pak se 19 milionë euro). Për këtë të fundit në garë janë edhe Totenhem dhe Mançester Junajted.

Ëndrrat - Nëse blerjet e lartpërmendura nuk do të realizohen, tekniku i Mançester Sitit duket se ka përgatitur një plan rezervë. Në listën e shpenzimeve të Hjuxhs janë edhe emrat e dy lojtarëve të Bllekbërn, skuadër të cilën trajneri nga Uellsi e ka drejtuar më parë: sulmuesi Roke Santa Kruz (si alternativë më ekonomike e Vijës), që kushton 21 milionë euro dhe mbrojtësi Stefan Varnkok, kartoni i të cilit vlerësohet afro 5,8 milionë euro. Por, në të vërtetë, sheikët e klubit të Premiershipit kanë synime edhe më ambicioze. Disa prej emrave të lakuar janë Fernando Torres dhe Kaka, megjithatë, për të realizuar këto ëndrra, skuadra duhet që të paktën të luajë në Ligën e Kampioneve. Në fakt, ky është objektivi minimal që pronarët e rinj i kanë përcaktuar trajnerit Hjuxhs. Vetëm në këtë mënyrë, skuadra mund të shpresojë që të tërheqë lojtarët më të rëndësishëm të futbollit evropian.

Problemet - Edhe pse kërkojnë të hyjnë fuqishëm në merkato, më parë në radhët e Mançester Sitit duhet të zgjidhen problemet brenda skuadrës. Braziliani Elano duket se i ka ditët e numëruara në skuadër, pas kritikave publike ndaj trajnerit, sepse nuk e kishte aktivizuar në dy takimet e fundit. Për deklaratat, lojtari u gjobit me 47 mijë euro, e tashmë rrezikon seriozisht të largohet. "Fjalët që tha ishin të papërshtatshme, deklaroi Hjuxhs. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur, e nëse lojtarët kanë ndonjë problem, ata mund të vijnë të diskutojnë me mua. Elano zgjodhi mënyrën më të gabuar për të vepruar". Zemërimit të trajnerit nuk i shpëtoi as braziliani tjetër, Xho, që kishte dalë të argëtohej në lokalet e natës, ndërkohë që të gjithë mendonin se sulmuesi ishte në shtëpi i sëmurë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›