Blushi: “Do të nxisim punësimin e të rinjve”
Kandidati i PS-së, Ben Blushi, në qarkun e Korçës ka zhvilluar dje një takim me banorët e fshatit Kuç. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Blushi tha se punësimi i të rinjve do jetë një nga gjërat kryesore që do të bëjë Partia Socialiste, pasi në programin e saj ka zgjidhje konkrete për të ulur papunësinë në vend. “Shqipëria do të ndryshojë, miqtë e mi, ditën kur fëmijët tanë nuk do të rriten me idenë për ta braktisur vendin. Në qoftë se emigracioni vazhdon të jetë një plagë dhe çdo njeri që është i aftë për punë mendon se si të ikë për të gjetur një punë jashtë dhe jo në vendin e tij, në qoftë se kjo plagë kombëtare vazhdon, ne do të vazhdojmë të jetojmë keq. E vetmja mundësi që kemi është të hapim fronte pune në fshat dhe në qytet, të ndryshojmë cilësinë e shkollave tona, të ndryshojmë arsimin, t’i japim të rinjve punë në mënyrë që njerëzit të mos ikin nga Shqipëria. Të mos rriten me idenë se Shqipëria duhet braktisur”, - tha Blushi.
Leskaj: “Të sigurt për fitoren më 28 qershor”
Kandidatja për deputete e qarkut të Elbasanit, Valentina Leskaj, ka qenë në fshatin Shushicë të qarkut Elbasan. Në takimin me banorët e këtij fshati Leskaj ka shpjeguar programin e Partisë Socialiste për shërbimin shëndetësor universal. Leskaj shprehu besimin për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. “Dua t’ju them sot, miqtë e mi, se unë jam më e sigurt se kurrë se më 28 qershor ne do të kthejmë një faqe të historisë, se më 28 qershor ne jemi fituesit dhe do të bëjmë qeverisjen e re, qeverisjen që meriton Shqipëria dhe çdo shqiptar dhe shqiptare”, - tha ajo.
6 Qershor 2009