E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: “Shtyrja e zgjedhjeve, opsion i rrezikshëm, PD-ja dhe PS-ja të gjejnë zgjidhje urgjente”



Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar opsion të rrezikshëm dhe me pasoja të thella ekonomike dhe sociale shtyrjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i bëri apel Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike që të gjejnë një zgjidhje urgjente për çështjen e kartave të identitetit. Xhufi tha se LSI-ja është e gatshme që të kontribuojë me propozime konkrete për zgjidhjen e krizës së kartave, në mënyrë që zgjedhjet e 28 qershorit të zhvillohen sipas standardeve. “LSI-ja, jo në minutën e fundit dhe jo në grahmat e fundit të qeverisë “Berisha”, por që në minutat e parë të jetës së kësaj qeverie të vitit 2005, në mënyrë zyrtare, i ka kërkuar kryeministrit Berisha që ishte dhe bashkëfajtori për dështimin e zgjedhjeve të vitit 2005, që të realizonte parakushtet e domosdoshme që zgjedhjet e vitit 2009 të ishin vërtet të lira dhe të drejta. Në mënyrë specifike ne i kemi kërkuar z.Berisha që të pajisen me karta identiteti të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë të drejtë vote, por fakti që jo vetëm në vitin 2006, që premtoi z.Berisha, por edhe sot, në datën 6 qershor të vitit 2009, pra vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, kjo qeveri nuk i ka pajisur shqiptarët me karta identiteti. Kjo qeveri gjithashtu mban përgjegjësinë për parregullsinë, të cilat janë vënë tashmë në dukje. Këto gjëra, pra, e ngarkojnë qeverinë “Berisha” me një përgjegjshmëri të veçantë dhe të patjetërsueshme. Por natyrisht jo vetëm qeverinë, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar që në krye të gjithë procesin e reformës zgjedhore, i cili u krye në mënyrë jotransparente, përjashtuese dhe gjithashtu jashtë institucioneve nga PD-ja dhe PS-ja. LSI-ja ka denoncuar një kod elektoral, i cili bëri tentativën për të krijuar një sistem dypartiak në Shqipëri, duke ngushtuar hapësirat demokratike, një tentativë që mund ta themi me plot gojën që ka dështuar plotësisht. Ne kemi denoncuar faktin gjithashtu që të njëjtët persona në qeveri apo opozitë, që kanë qenë përgjegjës për cenimin dhe dështimin e zgjedhjeve në vitin 2001 apo në vitin 2005, u ngarkuan nga krerët e partive të tyre për të bërë reformën zgjedhore. LSI-ja i bën thirrje PD-së, por edhe PS-së, të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshme. Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë më 28 qershor”, - tha Xhufi.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›