Mediu në Dibër: “Prioriteti i qeverisë, vendosja e shtetit ligjor”
Partia Republikane organizoi një miting në Dibër. I pranishëm ishte edhe kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, anëtarë të Kryesisë, si dhe shumë simpatizantë të kësaj force. Gjatë fjalës së tij Mediu u ndal te pikat kryesore për të cilat koalicioni i djathtë, pjesë e të cilit është edhe Partia Republikane, ka punuar për këto katër vite qeverisjeje, ku vendosja e shtetit ligjor ishte prioritet. “Me besimin që na dhatë, me bashkëpunimin që patëm me ju, në radhë të parë, për të ndërtuar shtetin ligjor, shtetin e ligjit, ku janë të gjithë të barabartë përballë tij. Punuam çdo ditë, çdo muaj e çdo vit, për të ndërtuar standardet për shqiptarët. Standarde të cilat bënë të mundur sot anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në BE nesër. Sepse ëndrra europiane është ëndrra jonë e përbashkët. Ne kemi vetëm një rrugë: Bashkimin Europian”, - tha Mediu. Më tej ai theksoi se gjatë mandatit të dytë do të punohet edhe më shumë që Shqipëria të arrijë standarde të larta, ato standarde që çdo shqiptar i dëshiron dhe meriton.
Ndoka: “Berisha e la Durrësin pa ujë të pijshëm”
Kreu i Partisë Demokristiane, parti e cila është në koalicion me Polin e Lirisë, Nard Ndoka, e ka vijuar turin e tij elektoral në qytetin e Durrësit. Ndoka u shpreh se është e pafalshme që qyteti i Durrësit vuan mungesën e ujit të pijshëm. “Alternativa e Polit të Lirisë nuk mund të mbytet as nga presioni mbi mediat dhe as nga keqpërdorimi i KQZ-së”, - është shprehur kreu i PDK-së, Nard Ndoka, gjatë takimit elektoral të zhvilluar në Durrës, ku u prezantuan dhe kandidatët për deputetë të Polit të Lirisë. Ndoka i ftoi qytetarët që të mos u besojnë më atyre individëve që, siç u shpreh ai, pasi marrin mandatin e deputetit i kthejnë krahët qytetit historik të Shqipërisë duke e lënë në thatësirë, pa ujë të pijshëm. “Kam vërejtur me shqetësim që akoma Durrësi lëngon çdo ditë nga thatësira. Janë kthyer në qytet radhët për ujë, ndaj i ftoj qytetarët durrsakë të mos u besojnë më përrallave të kryeministrit Berisha që thoshte para disa kohësh se problemin e ujit do ta zgjidhë duke shkripëzuar ujin e detit”, - theksoi kreu i PDK-së Ndoka në fjalën e tij.
6 Qershor 2009