Blushi: Do të respektojmë vendimin e shumicës
Deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka deklaruar se Grupi i Mendimit Ndryshe në këtë parti do të vazhdojë të respektojë vullnetin e shumicës, edhe pse vendimi për të dalë nga Parlamenti, sipas tij, ishte i padrejtë. Në një intervistë për “Top Channel”, Blushi ka theksuar se kreu i PS-së, Edi Rama, u detyrua të kthehej në Parlament edhe falë presionit që ai dhe deputetë të tjerë kanë bërë brenda partisë. “Në disa raste duhet të pranojmë edhe gjëra të padrejta. Ky është rasti ynë. Ne kemi gjashtë muaj që themi se duhet të shkojmë në Parlament dhe grupi erdhi. Koha na dha të drejtë”, deklaroi Blushi. Dolëm, tha ai, për të respektuar vendimin e grupit me të cilin nuk jam në një mendje. “Do duhej të rrinim në Parlament për të përmbushur detyrimet tona dhe angazhimin që PS mori pas rezolutës së KiE-së”, theksoi ai. Ne, vijoi Blushi, do të vazhdojmë të respektojmë vendimin e grupit. “Një hap i parë ishte që Edi Rama nuk guxoi, edhe për arsye të brendshme, të djegë mandatet e deputetëve të PS-së. Ka pasur brenda PS-së edhe një bindje për djegien e këtyre mandateve, gjë që nuk ndodhi edhe për meritën tonë”, theksoi Blushi.
#