Policia shqiptare vë në punë laboratorin e ADN-së
Për herë të parë, policia shqiptare mund të bëjë analizat e ADN-së në vend, pa pasur nevojë t’i dërgojë ato në shtete të tjera, siç është vepruar deri më sot. Në Ministrinë e Brendshme u zhvillua dje ceremonia e përmbylljes së programit të financuar nga Mbretëria e Bashkuar për modernizimin e policisë shkencore shqiptare. Në ceremoni ishin të pranishëm zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fiona Mcllwham, drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Ajdin Mborja, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj dhe zv.drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Kosta Beluri. Programi “Për modernizimin e Policisë Shkencore” ka filluar në vitin 1998 dhe është përmbyllur në dhjetor 2009. Investimet për realizimin e këtij programi llogariten në rreth 4 milionë euro. Falë këtij programi në Institutin e Policisë Shkencore janë implementuar metoda dhe janë instaluar sisteme dhe pajisje moderne për ekzaminimet e ndryshme kriminalistike, përfshirë edhe instalimin në vitin e kaluar të pajisjeve për ekzaminimet me anë të ADN-së. Duke e cilësuar sistemin e ekzaminimit të ADN-së si një mjet të fuqishëm në arsenalin e Policisë Shkencore, ambasadorja Mcllwham u shpreh se modernizimi i këtij sektori të Policisë së Shtetit kontribuon në reformat më të gjera dhe progresin drejt një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm dhe transparent që e kërkon BE dhe që e meriton populli shqiptar. Zv.ministri Peka theksoi se vlera reale e këtij investimi është më e rëndësishme se ajo monetare, pasi ajo ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të Policisë Shkencore për luftimin më me efektivitet të krimit në Shqipëri. Zv.ministri Peka shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të vijuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes agjencive ligjzbatuese shqiptare e britanike. Programi i mbështetur financiarisht nga Mbretëria e Bashkuar “Për modernizimin e Policisë Shkencore Shqiptare”, i menaxhuar nga policia e kontesë së Essex-it, Angli, përveç investimeve në sisteme, pajisje e mjete teknike, ka përfshirë edhe trajnimin e specialistëve të sektorëve të ndryshëm të Institutit të Policisë Shkencore për përdorimin me efikasitet të metodave dhe aparaturave moderne.
#