E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Lushnjës, familja: Si na torturuan për disa vjet

Dëshmojnë vëllezërit Taullaj: Anëtarët e bandës na vinin gjoba. Na vranë vëllain, Baki Taullaj

Procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të bandës së Lushnjës është futur në një fazë interesante. Dje ka dëshmuar një prej vëllezërve të familjes Taullaj, të cilët kanë humbur një pjesëtar të familjes, ndërsa për tetë vjet me radhë kanë jetuar me presionet e bandës. Sajmiri, Fatmiri dhe Albert Taullaj kanë treguar para Gjykatës së Krimeve të Rënda tmerrin e përjetuar nga banda, ndërsa kanë dhënë detaje nga vrasja e vëllait të tyre, Bakiut, në vitin 2005, në mes të qytetit të Lushnjës. Sajmiri ka treguar dje se gjatë një dekade u ka paguar anëtarëve të bandës së Lushnjës dhjetëra qindra milionë lekë në formën e gjobëvënies, pasi banda i kërcënonte. Familja Taullaj kishte në pronësi disa biznese të rëndësishme në Lushnjë dhe ata ishin të detyruar të paguanin shpesh herë bakshish.

Dëshmitë

Sajmir Taullaj, personi i marrë peng nga banda, ka qenë dje i pranishëm në seancë. Ai ka shpjeguar mënyrën se si është marrë peng, emigrimin në Itali dhe shumë detaje të tjera që lidhen me presionin e bandës ndaj familjes së tyre. Një seancë më parë dëshmoi Fatmiri, duke deklaruar se vëllezërit e tij ishin kërcënuar për vite me radhë nga banda e Lushnjës. “Të pandehurit i njoh. Me ta kemi pasur vetëm presione dhe konflikte, derisa shkuan te vrasja e vëllait. Vëllait tim, Albert Taullaj, në 1998 i kanë vënë tritol pranë derës së banesës së tij në katin e dytë të një pallati. Pas tritolit ka ardhur Arjan Aliço dhe ka thirrur vëllain tim Bakiun. Bakiu na tha se kishte shkuar dhe kishte takuar Ben (Arben) Boriçin dhe Enver Dondollakun. Këta i kishin thënë sikur vëllai im tjetër, Sajmiri, që ishte në Itali, ishte konfliktuar me ta”, do të deklaronte Fatmiri, duke pohuar edhe pengmarrjen ndaj Sajmirit. “Në një rast tjetër, Ilir Stërgu gënjeu vëllain tim, Sajmirin, dhe i tha ‘të kërkojnë te varrezat’, për ta vrarë. Atje, Leonard Prifti i ka thënë: Na sill vëllanë tjetër. Më vonë ata u zunë me vëllain, Bakiun, për një truall toke dhe i kërkuan 500 mijë euro. Gjobën e kërkonte Enver Dondollaku nga Italia. Kunati i Dondollakut i vinte telefonin në vesh Bakiut, teksa ecte në Lushnjë, ku fliste Dondollaku që i kërkonte lekët”, do të shtonte Fatmiri. Ndërkohë, dje i ka konfirmuar këto detaje edhe Sajmiri, duke pohuar se familja e tij ka pësuar presionin e bandës.

Vrasja

Baki Taullaj është vrarë në qendër të qytetit të Lushnjës në fillim të korrikut të vitit 2005. Vrasja në qendër të Lushnjës, e cila u shoqërua edhe me një eliminim të menjëhershëm të atentatorit të biznesmenit, ende nuk është zbardhur plotësisht, pasi të dy personat që dyshohet se kishin konflikt me njëri-tjetrin, mbrëmjen e 4 korrikut 2005 mbetën të vdekur. Si të dyshuar kryesorë për vrasjen e Baki Taullajt aktualisht janë Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti, por ky i fundit që kreu atentatin, u ekzekutua në çast nga njerëz të tjerë që në atë moment qëndronin afër viktimës. Duke mbetur hetimi në udhëkryq, akuza shqiptare do të mund të marrë transkriptimet e përgjuara nga Antimafia italiane dhe me këtë rast pritet që të zbardhen motivet dhe shkaqet kryesore që e kanë shtyrë Leonard Priftin, për të ekzekutuar në qendër të Lushnjës biznesmenin Baki Taullaj. Shkaku i vrasjes së viktimës Baki Taullaj ka qenë një gjobë prej gati 150 milionë lekësh (të vjetra) që i superkërkuari i asaj kohe, Leonard Prifti, i kishte kërkuar disa muaj më parë Baki Taullajt në shkëmbim të jetës së tij. Ish-anëtari i bandës të Aldo Bares, Leonard Prifti, duke u vetëcilësuar edhe si “i fortë”, dyshohet se i kishte kërkuar 150 milionë lekë (të vjetra) në këmbim të qetësisë së tij dhe të familjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›