E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, miratohet projekti i qendrës dhe lumit Gjanica

 FIER/ MAJLINDA RAMAMiratohen në KRRT-në e bashkisë dy studimet më të mëdha për qytetin e Fierit, ai për qendrën e qytetit dhe për rehabilitimin e lumit Gjanicë. Studio projektuese “Argitema” u shpall fituese për qendrën me studimin e saj, i cili ka pësuar ndryshime në varësi edhe të mendimit të specialistëve, inxhinierëve të ndërtimit dhe arkitektëve. Në këtë studim, qendra e qytetit është menduar që t’i lërë vend më tepër biznesit. “Ne kemi zhvilluar takime të herëpashershme në qytetin e Fierit me specialistë të fushave të ndryshme. Prezantimi i qendrës së qytetit është bërë te qindra qytetarë për të dhënë kështu edhe variantin më të mirë të studimit të qendrës, hapësira e së cilës shkon në rreth 25 ha”, ka deklaruar Manol Goga, shefi i urbanistikës. Qendra e qytetit sipas studimit nuk do të prekë ndërtimet e mëparshme, madje synon ndërtime të reja dhe moderne që do të ngrihen deri në 22 kate, siç është qendra e biznesit në qendër të qytetit, por nuk do të mungojnë hapësirat e gjelbëruara, sistemi i lumit Gjanica, monumente kulture etj. Ky studim, sipas përfaqësuesve të firmës, parashikon dhe rritjen e numrit të popullsisë, e cila në vitin 2020 mendohet të arrijë në rreth 94 mijë banorë. Në mbledhjen e djeshme ishin dhe specialistë të sizmikës, sipas të cilëve, nuk ka probleme për ngritjen e pallateve të larta në qendër. Sipas përfaqësuesve të firmës do t’u lihet hapësirë e konsiderueshme dhe objekteve që identifikojnë Fierin. “Lumi Gjanica, i cili deri tani është i padukshëm, do të rivitalizohet. Zonat industriale të qendrës nuk ndryshojnë, sistemi rrugor dhe lëvizja është po ai”, ka deklaruar përfaqësuesja e studios “Argitema”. Vlera e këtij plani, i cili do të kalojë për miratim në KRRTRSH, llogaritet në 10 milionë lekë të reja. Ndërsa projektin për studimin e rehabilitimit të lumit Gjanica e ka fituar studioja “EL–Consultin” sh.p.k., me qendër në Tiranë, e cila u paraqit me ide të konkretizuara për mënyrën se si do të sistemohet lumi më i ndotur në vend. Mësohet se të dyja studiot kanë bashkëpunuar, për shkak se lumi kalon në mes të qytetit. Kështu është parashikuar që lumi të përshkojë qytetin e Fierit pa devijuar si vendndodhje, ndërsa disiplinimi i ndotjes do të bëhet qysh në grykëderdhje të puseve të naftës. Aty mendohet të vendosen filtra me qëllim që uji të hyjë në zonat e banuara i pastër. Parashikohet sipas projektit thellimi i lumit si dhe ngritja e shpateve në të dyja anët e tij. Përgjatë kësaj gjatësie do të mbillen pemë dhe do të shtohen urat lidhëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›