Kaluan maunen me qepë, në arrest dy doganierë
KORçE - Përfundojnë në pranga dy doganierë të pikës kufitare të Goricës për favorizim të kontrabandës. Sipas burimeve të policisë së Korçës, një sasi e konsiderueshme qepësh që kishin hyrë pa u zhdoganuar nga dogana e Goricës ka bërë që dy punonjësit doganorë të arrestohen nga zyra e krimi ekonomik e financiar në drejtorinë e policisë. “Kontrabanda e qepëve që vinin nga Maqedonia çoi në arrestimin e dy doganierëve, Piro Tite dhe Arben Toslluku” bënë të ditur burimet policore. Sipas policisë të dy punonjësit kanë favorizuar kalimin e një mauneje që është kapur më pas nga një kontroll i befasishëm bashkë me ngarkesën. Mësohet se maunia, së bashku me ngarkesën kishin si destinacion Tiranën. Mjeti i tonazhit të rëndë është ndaluar në aksin nacional Korçë-Pogradec ndërkohë që ishte duke transportuar ngarkesën me të paktën 889 kilogram qepë kontrabandë. Nga kontrolli i mjetit nuk është gjetur asnjë dokumentacion që vërteton kalimin e rregullt të mallit nga dogana. Pas hetimit të kryer nga ana e policisë rezultoi se nuk ishin kryer veprimet për zhdoganimin e mallit. Policia arrestoi veç dy doganierëve edhe shoferin e mjetit, shtetasin Blerti Gjonaj. Sipas policisë maunia me targa TR 2830 N kishte hyrë nga ky vendkalim me shtetin maqedonas, ndërkohë që dy doganierët që kanë qenë në detyrë dyshohet se e kanë favorizuar Gjonajn në kalimin e mallit kontrabandë. Burimet nuk bënë të ditur nëse në mjet janë gjetur mallra të tjera të dyshimta g.a