E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: S’tolerojmë PS pas 4 marsit

 ADI SHKEMBIMaxhoranca konfirmon vendimin për t’i zëvendësuar mandatet deputetëve të opozitës, nëse ajo nuk do të hyjë në Parlament brenda 6 marsit. Megjithë vendosmërinë e PS-së për të vazhduar protestat, Kryeministri Berisha është shfaqur i sigurt dje për të zbatuar Kushtetutën, çka do të thotë djegie mandati për 64 deputetët e selisë rozë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e para për këtë sesion të ri të Kuvendit, Kryeministri i është rikthyer sërish çështjes së bojkotit të opozitës. Në pjesën me dyer të mbyllura të grupit demokrat, kreu i maxhorancës mësohet t’u ketë thënë deputetëve se do të pritet deri më 6 mars, limiti i afatit 6 mujor brenda të cilit deputetët duhet të bëjnë betimin. Sipas tij, pas kësaj date deputetët që nuk betohen do të zëvendësohen. “Ne do të presim deri në seancën e fundit, që është më 4 mars, dhe më pas deputetët do të zëvendësohen sipas Kodit Zgjedhor. Më pas do të presim sërish edhe gjashtë muaj të tjerë për listën e dytë të deputetëve”, mësohet të ketë thënë Kryeministri Berisha. Por pas fjalës së Kryeministrit ka ndërhyrë ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti Fatos Beja, i cili ka sqaruar se nëse 64 deputetët aktualë nuk hyjnë në Kuvend, deputetët e tjerë që fitojnë mandatin duhet të bëjnë betimin brenda një muaji, siç e parashikon Kodi Zgjedhor. “Nëse deputetët e PS-së, që kanë marrë mandatin nga KQZ-ja nuk hyjnë në Kuvend, përfitojnë kandidatët që vijnë më pas në listë. Por me Kodin Zgjedhor, ata duhet ta bëjnë betimin brenda 1 muaji dhe jo brenda gjashtë muajve”, mësohet të ketë thënë Beja. Megjithë saktësimin e deputetit, Kryeministri është shprehur se maxhoranca do të presë gjashtë muaj, duke iu referuar pikërisht një neni të Kushtetutës, që flet për afatin pas të cilit digjet mandati nëse nuk bëhet betimi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh pak ditë më parë se pas 4 marsit do të zbatojë ligjin, që në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të zëvendësojë deputetët e opozitës. Baza ligjoreKushtetuta dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë momentin e zëvendësimit të mandatit të një deputeti. Në nenin 71 të ligjit themeltar, pika 2 e tij thotë se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. Gërmat ‘a’ dhe ‘d’ pritet të jenë baza ligjore që do të përdorë Kuvendi dhe KQZ-ja për zëvendësimin e mandateve. Ndërkohë, në nenin 164 të Kodit Zgjedhor “Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi” thuhet se kandidatët e dytë në listë, të cilët përfitojnë mandatin, pasi deputetët që kanë fituar në zgjedhje nuk kanë bërë betimin, mund të shkojnë në Parlament brenda një muaji. Pas 30 ditëve, ata humbasin mandatin nëse nuk bëjnë betimin. “KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit si dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike”, thuhet në pikën 2 të nenit 164.Neni 164, pika 2KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar, sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit, si dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›