Blushi, Islami, Harasani në KiE, kërkojnë mbështetje për ti dhënë fund bojkotit
Ndryshe nga debati i ditëve të fundit mes opozitës dhe maxhorancës për emërimet e delegacionit shqiptar për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Europian, mesditën e djeshme, deputetët Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani janë nisur drejt Brukselit për të kërkuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për qëllimin e tyre që deputetët socialiste t’i japin fund bojkotit. Mësohet se në axhendën e tyre janë rreth 10 takime që do të fokusohen pikërisht te nevoja për të ndërprerë bojkotin dhe për t’iu kthyer jetës parlamentare. Deputetët bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel do të takohen me përfaqësues të Komisionit Europian, por edhe me përfaqësues të Parlamentit Europain, qoftë të partive të majta, qoftë edhe të partive të djathta. Vizita e tre kundërshtarëve të Ramës vjen vetëm 2 ditë para se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të miratojë rezolutën për situatën në Parlament, e cila, ndër të tjera, kërkon edhe futjen e deputetëve socialistë në Parlament. Dy raporterët, David Willshire dhe Jaako Lakso, që hartuan këtë projekt-rezolutë gjatë muajit nëntor, përveç liderit të PS-së dhe kryeministrit Berisha, kanë zhvilluar gjithashtu takime edhe me deputetë që mendojnë ndryshe nga kryesocialisti Rama për bojkotin.
27 Janar 2010