Zaneti: “Kampionati, ende i hapur”
“Interi dha një sinjal të madh, por kampionati është ende i hapur”. Ky është konkluzioni i kapitenit zikaltër, Havier Zaneti, pas derbit kundër Milanit, të dominuar e fituar 2-0 nga Interi. “Është një kënaqësi e madhe, ishte një fitore e rëndësishme, skuadra tregoi karakter të madh dhe personalitet dhe e meritoi fitoren. E dinim se kjo ndeshje ishte e shumë e rëndësishme dhe skuadra e dëshmoi nga fillimi se dëshironte të fitonte”, - pohoi argjentinasi për faqen zyrtare të klubit, inter.it. “Dhamë një sinjal të madh, Milani bëri ndeshjen e tij dhe kërkoi të na impononte lojën e tij, por gjeti përballë një Inter të gatshëm për të përballuar ndeshje të këtij tipi”. Tani pikët në avantazh ndaj Milanit janë 9. “Por mungojnë shumë ndeshje. Milani do të qëndrojë në garë së bashku me ne deri në fund të kampionatit. Për më tepër që skuadra të tjera janë duke afruar”. Zaneti foli edhe për vuajtjet pas përjashtimit të Shnajderit në minutën e 26-të të pjesës së parë. “Mund të komplikohej ndeshja, pasi përballë kishim një skuadër të madhe se Milani. Është e vërtetë që ishim në avantazh 1-0, por ishin shumë minuta për tu luajtur dhe nuk ishte e lehtë. Skuadra edhe një herë u soll si e madhe”. Morali i Interit është i lartë, po kështu edhe ai i trajnerit Hoze Murinjo. “Misteri është shumë i kënaqur, - tha Zaneti, - pasi me Milanin ishte një ndeshje shumë e ndjeshme dhe e dinim se çdo të thotë të fitosh derbin. Trajneri dhe drejtuesit na bënë komplimente për mënyrën se si e interpretuam këtë ndeshje, që nuk ishte e lehtë”.
KUPA E ITALISË
Trajneri i Inter, Hoze Murinjo nuk ka humbur kohë, por ka nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Juventusit për çerekfinalet e Kupës së Italisë, takim i programuar për ditën e enjte, 28 janar.
80 avokatë shqiptarë në Inter-Milan
Ndeshja Inter-Milan pezullon pjesën më të madhe të proceseve gjyqësore. Shkak është bërë largimi i 80 avokatëve në Itali, të cilët kishin rezervuar vendet për të parë ndeshjen.
Lajmi i publikuar nga angjencia e lajmeve “Noa” u bë i ditur në seancën e procesit të Gërdecit, javën që shkoi, duke bllokuar kështu pjesën më të madhe të proceseve gjyqësore civile e penale. Mësohet se ndjekja e ndeshjes live, sponsorizohej nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Ndërsa shpjegimet e një personi arrinin në 800 euro. Mësohet se avokatët duhet të kthehen ditën e sotme në kryeqytet në mënyrë të tillë që nesër të jenë prezentë në seancat gjyqësore të caktuara nga gjykata. Javën që shkoi gjykata shmangu në axhendën e saj proceset gjyqësore si Gërdeci, seancë e cila u la për ditën e premte, ndërkohë që sot u pengua edhe zhvillimi i seancës së “Bandës së Durrësit”.
Fabio Hoxha, dy gola për Inter U-19
Fabio Hoxha ishte protagonisti absolut në fitoren 2-1 të Inter Allievi Nazionali (U-19) në transfertën me Albinloffe, në javën e 2-të fazës së dytë të kompeticionit. Sulmuesi durrsak shënoi në minutat 12 dhe 51, duke i siguruar paratërinjve zikaltër të drejtuar nga Gato Xhorxho fitoren e 15-të në po aq takime. 16-vjeçari i Kombëtares U-17 shqiptare ka realizuar tetë gola këtë sezon me Inter Allievi Nazionali, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës, me katër gola më pak se Ahmed Said (12 gola).
FIFA
Blater, po teknologjisë në të ardhmen
Presidenti i FIFA-s pranon vetëm video-teknologjinë për vijën fatale të portës
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, deklaroi se ai mund ta konsiderojë të vlefshme video-asistencën për gjyqtarët në të ardhmen. Shefi i futbollit botëror ka qenë më parë një kundërshtar i përdorimit i përsëritjes përmes videos si një ndihmë për gjyqtarët, pasi ajo mund të ndërpriste rrjedhshmërinë e lojës. Duke folur për gazetën zvicerane “Sonntagsblick”, Blater pohoi: “Unë nuk jam komplet kundër teknologjisë. Por vetëm teknologjia e mbikëqyrjes së vijës së portës mund të përfshihet, vetëm ajo”. Blater u shpreh sërish kundër hyrjes së një ndihme të tillë në gjatë Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut. “Ne nuk do të bëjmë asnjë eksperiment atje, përfshirë edhe vendosjen e dy gjyqtarëve shtesë”.
Statistika
Pele, goleadori më i mirë i botës
Sulmuesi brazilian ka shënuar 541 gola në 560 ndeshjet e Superligës
Pele është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e futbollit. Statistika është e Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave në Futboll. Braziliani Edson Arantes do Nascimento, apo shkurt Pele, është lojtari që ka shënuar më shumë gola në listën e 313 goleadorëve më të mirë në kampionatet maksimale të vendeve të ndryshme, apo Superligës, për periudhën 1989-2009, pra 110-vjeçare. Në këtë listë të bujshme nuk figuron asnjë shqiptar, edhe pse ish-lojtari i Partizanit, Refik Resmja, është lojtari i pestë më i mirë në botë përsa i përket golave të shënuar në një kampionat të vetëm: 59 të tillë në vitin 1951, teksa Pele në sezonin më të mirë të tij ka realizuar 58 gola (viti 1958).
10 më të mirët
Lojtari Vendi Ndeshje Periudha Gola
1. Pele Brazil 560 1957-1977 541
2. Josef Bican Austri 341 1931-1955 518
3. Ferenc Pushkash Hungari 533 1931-1955 511
4. Romario Brazil 612 1985-2007 489
5. Roberto Karlos Brazil 758 1971-1992 470
6. Imre Schlosser Hungari 318 1905-1928 417
7. Gyula Zsengeller Hungar 394 1935-1952 416
8. James McGrory Skoci 408 1922-1938 410
9. Ziko Brazil 596 1971-1994 406
10. Gerhard Myler Gjermani 507 1965-1981 405
Gosip
Makina, godet më shpejt se Ronaldo
Traktori i BP Castrol Japan godet topin me shpejtësi 200 km në orë, ndërsa ylli i Real Madrid, 130 km në orë
Një makinë që gjuan si Kristiano Ronaldo. Inxhinierët e kompanisë japoneze BP Castrol Japan prezantuan një makinë të aftë të gjuajë topin me 200 kilometër në orë, të frymëzuar nga futbollisti i Real Madrid, Kristiano Ronaldo. Makina e prodhuar në vendin aziatik dëshmoi para medias “aftësitë” e saj. “Kristiano Ronaldo godet topin me shpejtësi 130 Kilometër në orë, ndërkohë që makina jonë e çon atë në 200, pra është një rekord i ri”, - tha Charles Postles, presidenti i BP Castrol Japón për “Sky”. Makina i ngjan një traktori dhe drejtohet nga një shofer që e aktivizon dhe i jep “udhëzimet” si të godasë. Kristiano Ronaldo është sportisti më popullor në Facebook. Ylli i Realit të Madridit, njëherësh dhe lojtari më i shtrenjtë në botë, numëron gati 3.2 milionë tifozë në rrjetin më të famshëm në internet. Portugezi ndiqet nga tenisti zviceran Roxher Federer (3.18 milionë) dhe notarit amerikan Majkëll Felps (2.86 milionë). Sipas gazetës së përditshme spanjolle “Marca”, presidenti amerikan Barak Obama është personaliteti më popullor nga ata që janë gjalë në Facebook, me më shumë se 7 milionë fansa. Më popullori është mbretit i popit, legjenda Majkëll Xhekson, me 10.5 milionë fansa.
Van Nistelroj: “Më bindi Van der Vart”
Sulmuesi holandez Rud van Nistelroj mund të debutojë më 6 shkurt më fanellën e Hamburgurt, skuadrës gjermane të Bundesligës 1. Deklarata është bërë nga vetë ish-lojtari i Real Madrid për gazetën “De Telegraph”. Van Nistelroi pohoi se ishin patriotët e tij, Rafael Van Der Vart dhe Mathijsen, ata që e bindën të nënshkruante për Hamburgun, dhe jo të firmoste për ndonjë klub të Premier Ligës angleze, nga ku kishte edhe disa oferta. “Bisedat me presidentin Bernd Hoffman dhe trajnerin Bruno Labbadia më entuziazmuan për të luajtur në Bundesligë”.
Torres, ofertë rekord: 228.000 në javë
Fernando Torres mund të hyjë në histori jo vetëm si autor i golit që i dha Spanjës, Kampionatin Europian 2008, por dhe si lojtari me transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Sipas “People”, Manchester City është gati të ofrojë Liverpool, 100 milionë paund ose 114 milionë euro për të siguruar shërbimet e sulmuesit spanjoll. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë Torres do të merrte një pagë astronomike: 228 mijë euro në javë, çka do të thoshte 57 milionë euro për pesë vitet e kontratës që propozon klubi ku trajner është Roberto Mançini.
26 Janar 2010