E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli akuzon socialistët: “Po bëjnë atentat ndaj imazhit të Shqipërisë”

Asambleja e KiE-së pranon delegacionin shqiptar. Ragon kryetarja e Kuvendit, akuzon socialistët
Eljona Ballhysa
Komisioni i Rregullores dhe i Mandateve pranë Asamblesë së KiE-së pranoi dje kredencialet e delegacionit shqiptar duke i rikthyer të drejtën e votës Shqipërisë. Fill pas marrjes së këtij vendimi reagoi dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cila akuzoi Partinë Socialiste për përpjekje për t’i hequr Shqipërisë të drejtën e votës në Asamblenë e KiE-s. Sipas Topallit, Partia Socialiste nëpërmjet sekretares për marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dades i ka dërguar letër kreut të Asamblesë në të cilën kërkohet verifikimi i përbërjes së delegacionit dhe ku akuzohet Topalli për shkelje të Rregullores. Kryetarja e kuvendit ka bërë publike letrën që Dade kishte firmosur dhe kishte dërguar pranë Asamblesë së KiE-s. Sipas Topallit kjo përpjekje e PS-së është një atentat që i bëhet imazhit të Shqipërisë.
Reagimi
“Jam këtu, për të informuar opinionin publik për një ngjarje jashtezakonisht të rëndë, të cilën do ta konsideroja si një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqiperisë.
Dy dite më parë, pra, më datë 24 Janar, Partia Socialiste, nëpërmjët kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e Partisë Socialiste, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Europës, heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare. De facto, perjashtimin e Shqiperisë nga ky organizëm europian.
Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Europës, kur thotë se, citoj, ‘Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcinalitetin në përbërjen e delegacionit’”, është shprehur Topalli. Ajo më pas ka cituar vendimin e Komisionit për Rregulloren, Manadatet dhe Imunitetet në Strasburg. “Pas verifikimit, ky komitet vendosi se, po citoj: ‘Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare’. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, se kredenecialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”, është shprehur kryetarja e Kuvendit.
Akuzat
Më pas Topalli bëri të ditur se kjo është hera e tretë që Partia Socialiste kërkon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë. Sipas saj 15 vjet më parë Namik Dokle ka votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës. “Kam ndjekur me durim të gjithë ata që, në media, triumfalisht dhe me kënaqesi, deklaronin se kjo ishte hera e dyte që po i shkaktonin Shqiperisë një atentat të tillë në Strasburg. Në fakt përsëri gënjejnë! Kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë. 15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës se, po citoj sërish “ Molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Keshillin e Europës, në vitin 1995”, është shprehur Topalli. Më pas ajo garantoi “shqiptarët se besueshmeria e vendit, kredencialet e tij në çdo organizëm, ku ne marrim pjesë, do të ratifkohen gjithnje, po me votë unanime”. Ajo akuzoi kreun e PS-së Edi Ramën si personin që po rikthen në vend Partinë e Punës. “Në këtë moment, besoj se të gjithë shqiptarët bashkohen me mua në ndjesinë e përçmimit dhe neverisë ndaj këtij akti të denjë për kohën më të errët të ekzistencës së Partisë së Punës, të cilën, sot pas 20 vjetësh, na e rikthen po aq të përbuzshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg, Edvin Kristaq Rama. Ata shqiptarë, që më 28 qershor votuan Partinë Socialiste, nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama, të kërkontë përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Europës dhe as të pengojë liberalizimin e vizave. Përkundrazi! Çdo shqiptar, pavarësisht për cilën parti ka votuar, ka aspiruar dhe aspiron për ribashkimin e Shqipërisë me Europën”,- është shprehur Topalli.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›