Kodheli: “Sharlatanët politikë, si në kohën e diktaturës, shpikin armiq të brendshëm”
Pas emërimit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ditën e djeshme deputetja dhe sekretarja ndërkombëtare e Partisë Socialiste, Arta Dade i ka dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare në KE, z. Mateo Sorinas, ku ndër të tjera i ka sqaruar se emërimi i delegacionit është bërë në mënyrë arbitrare. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, ka reaguar dje duke u shprehur se me emërimin e delegacionit, vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një. Kodheli nënvizoi se opozita e drejtuar nga socialistët ka pasur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme, megjithëse ka pasur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. Kryetarja Topalli, si një vit më parë, ka shkelur Rregulloren kur largoi Aleksandër Biberajn pa një vendim të Kuvendit nga delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Topalli, pa u konsultuar me grupet parlamentare, si përfaqësues të PD-së në delegacion ka vendosur sërish Ilir Rusmalin, i cili do të mbajë edhe postin e kreut të këtij delegacioni dhe Lajla Përnaskën. Gjithashtu, si pjesë e kësaj liste është edhe deputeti çam i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ndërsa opozitës i është lënë vetëm një vend i paplotësuar. Në listën e zëvendësuesve sërish Topalli ka përfshirë dy përfaqësues të djathtë, deputetet Arenca Trashani dhe Mesila Doda. Kësaj liste i është bashkangjitur edhe deputeti socialist, Kastriot Islami, i cili, siç evidentohet në njoftimin e KE-së, nuk përcaktohet se kujt partie i përket.
Reagimi
Duke iu referuar sjelljes së maxhorancës, deputetja socialiste Kodheli u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga sharlatanë politikë, të cilët, njësoj si në kohën e diktaturës, shpikin armiq të brendshëm që sabotojnë punët e Shqipërisë. “Ndryshe nga Jozefina Topalli, që tund letra përpara kamerave, por nuk guxon t’i lexojë ato, ne jemi transparentë. Kjo është letra që Partia Socialiste i ka dërguar Këshillit të Europës, ku kërkojmë asgjë më tepër sesa zbatimin e përpiktë të Rregullores që Topalli e shkel me të dyja këmbët”, - tha Kodheli, duke shtuar se “emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se kryetarja e Parlamentit është ajo që po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë. Ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë. Letra është në dispozicionin tuaj”.
Letra
Në letrën dërguar KE-së në emër të Partisë Socialiste është sqaruar dhe është interpretuar ligji, i cili tregon qartë se akti i kryeparlamentares Topalli lidhur me emërimet e delegacionit shqiptar bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit. Ndërkaq, sipas Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, Neni 7, pika 3, Kodheli citoi se kryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Deputetja Kodheli nënvizoi se në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend. Sipas Rregullores, u shpreh Kodheli, duke cituar letrën, edhe anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e Grupit Parlamentar socialist, që gjithnjë është përballur me dhunimin dhe margjinalizimin nga ana e kryetares së Kuvendit. Ky akt dhunon gjithashtu Nenin 6 – Kredencialet – të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
27 Janar 2010