E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi, Islami dhe Harasani, në Bruksel për bojkotin

Ndërprerja e bojkotit të opozitës është kthyer tashmë në një shqetësim dhe për miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste. Deputetët socialistë, që janë kundër këtij bojkoti, po shfrytëzojnë këtë shqetësim të shprehur nga të huajt, për të fituar më shumë mbështetje për kauzën e tyre brenda partisë ku bëjnë pjesë. Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani ndodhen në Bruksel në një vizitë disaditore, kur pritet të takohen me përfaqësues të lartë të partive socialiste evropiane, deputetë të Parlamentit Evropian, si dhe zyrtarë të tjerë të PE-së dhe Komisionit Evropian në Bruksel. Të tre këta personalitete të PS-së kanë vendosur të vënë në dijeni miqtë ndërkombëtarë për qëndrimin e tyre kundër vazhdimit të bojkotit dhe t’u shpjegojnë atyre pse bojkoti po dëmton vendin, por dhe partinë. Sipas burimeve pranë këtyre deputetëve, janë konfirmuar tashmë takimet e ditës së sotme që janë me kryetarin e socialistëve evropianë në PE, Martin Shulz, si dhe me eurodeputeten Doris Pack, që është një ndjekëse e rregullt e problemeve politike në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. Në këto takime, tre deputetët e PS-së shfrytëzojnë njohjet e tyre nga jetëgjatësia në jetën parlamentare dhe në rastin e Blushit e Islamit, edhe përvojën si ministra në qeveritë socialiste. Islami e ka cilësuar të rëndësishme këtë vizitë dhe bëri të ditur disa nga problemet që ata do të diskutojnë në këto takime. “Ne do të diskutojmë në takimet që do të kemi këtu në Bruksel për situatën politike në vend të krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit që është shoqëruar me bojkotin e PS-së, duke krijuar një situatë që kërkon zgjidhje të fortë në funksion dhe të çështjes së liberalizimit të vizave”, - tha ai në një lidhje telefonike nga Brukseli me TV “News 24”. Ndërkaq ai shtoi se “diskutimi do të shtrohet dhe në pasojat që mund të ketë kjo situatë në lidhje me marrjen e statusit të Shqipërisë si kandidat për në Bashkimin Evropian”. Islami tha më tej se në këto takime ai dhe kolegët e tij do të flasin dhe për problemet që i përkasin qeverisjes aktuale dhe për mënyrat si të zgjidhet situata aktuale e bojkotit të Partisë Socialiste.
Duket se kjo vizitë do të jetë e suksesshme nëse tre deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, ku bën pjesë dhe deputeti Marko Bello, nëse do të sigurohet prej tyre mbështetja e socialistëve evropianë për ndërprerjen e bojkotit parlamentar. Martin Shulz, me të cilin do takohen tre socialistët shqiptarë, është kryetar i grupit parlamentar të majtë në PE dhe një personalitet me emër në të majtën evropiane. Nga ana tjetër, vetëm fakti që ata në statusin e deputetit kanë arritur të sigurojnë takime të këtij niveli në Bruksel përbën një sukses më vete, ndërkohë që kryetari i tyre, Rama, mbeti më shumë një vizitor turist në një vizitë që bëri vitin e kaluar në Bruksel. Së bashku me aleatin Erion Veliaj, Rama nuk arriti të siguronte takime me zyrtarë të rëndësishëm, të cilëve t’u kërkonte mbështetje për qëndrimin politik të tij, duke bojkotuar Parlamentin, pasi nuk njohu rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›