PD: KE-ja përçmoi antishqiptarizmin e Ramës
PD-ja denoncoi dje kërkesën, sipas saj, antishqiptare të kryesocialistit Edi Rama drejtuar KE-së për të bllokuar kredencialet e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare. Sipas PD-së, KE-ja përçmoi letrën e mbushur plot mashtrime të shkruar nga shoqja Dade. Demokratët gjykojnë së Shqipëria qëndron si një zonjë e vërtetë në Këshillin e Evropës dhe nuk mund të përfaqësohet as me gojën e shthurur e aq më pak me imazhin e shoqes Arta Dade. Përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, PD-ja informoi se Këshilli i Evropës hodhi poshtë, me votë unanime, kërkesën e turpshme e antishqiptare të Edvin Kristaq Ramës dhe pinjollëve të Bllokut për përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm i rëndësishëm evropian. Mëhilli përmendi se “pas këtij dështimi të merituar dhe përçmimit të letrës së mbushur kryekëput me trillime dhe mashtrime e të firmosur nga shoqja Arta Dade, Edvin Kristaq Rama sulmon me një gjuhë ordinere, të denjë vetëm për shoqen Dade, kryetaren e Parlamentit dhe e fajëson atë se ajo i njohu shqiptarët me dokumentin e Këshillit të Evropës, i cili e ka gjetur brenda të gjitha procedurave, përbërjen, proporcionalitetin dhe kredencialet e delegacionit shqiptar”. Partia Demokratike, duke e dënuar ashpërsisht gjuhën ordinere, thekson se Shqipëria është në vendin e saj, si një zonjë e vërtetë në Këshillin e Evropës dhe nuk mund të përfaqësohet as me gojën e shthurur e aq më pak me imazhin e shoqes Arta Dade, por me atë të zonjës dhe gruas së vërtetë shqiptare.