Bojkoti, KiE miraton të enjten rezolutën për Shqipërinë
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të miratojë ditën e enjte draft-rezolutën për Shqipërinë përgatitur nga dy reporterët specialë. Dy reporterët që vizituan Shqipërinë, finlandezi Jaakko Laakso dhe anglezi David Wilshire, propozojnë në draft-rezolutë që opozita të ndalë menjëherë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend, ndërsa qeverisë i kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas reporterëve dhe rezolutës që i është dërguar Asamblesë së Përgjithshme, e cila pritet të votohet më 28 janar, bojkoti i opozitës po pengon zhvillimin e vendit. Propozimet e përmendura nga reporterët janë pranuar edhe nga kreu i qeverisë, Berisha, i cili publikisht ka pranuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Në rezolutë, flitet për situatën në Shqipëri si dhe arsyet e bojkotit të PS-së. Sipas raportit, kreu i PS-së Edi Rama duhej të jepte dorëheqjen në bazë të statutit të partisë, pasi parashikohej se humbja në zgjedhje shkarkonte kryetarit. Raporti shpreh se pas bojkotit të PS-së, deputetë të zgjedhur të PS-së nuk pranuan lidershipin e Ramës, por ai u rizgjodh përsëri kryetar pas një rezolute të miratuar në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, që i cilësonte zgjedhjet “të vjedhura”.